James Covey mohon se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK

(Lajm i përditësuar)


James Covey mohon se ka dijeni për rolin e Azem Sylës dhe Sokol Bashotës në UÇK

Dëshmitari James Peter Covey mohoi në Hagë se ka dijeni për për rolin që kanë pasur Azem Syla dhe Sokol Bashota në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Këtë përgjigje, dëshmitari e dha duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Vega Iodice, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Dëshmitari tha se nuk e ka ditur se kur është shfaqur për herë të parë UÇK-ja. Ngjahsëm ai u përgjigj edhe kur u pyet për rregulloret e UÇK-së.

“Nuk besoj”, u përgjigj dëshmitari kur u pyet se a ka dijeni për ndonjë urdhër të UÇK-së.

Veç kësaj, Covey mohoi se ka dijeni për ndonjë shkëmbim të të burgosurve në janar të vitit 1999.

“Jo! Nuk kam dijeni. Në atë kohë nuk kam qenë i përfshirë në këtë. Kam punuar në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare”, tha ndër tjerash dëshmitari duke treguar se ka punuar në një libër që do shfrytëzohej për eficencë të armëve.

“Nuk isha i përqendruar në ngjarjet në Kosovë. Nuk i kam ndjekur siç i kam ndjekur kur kam punuar në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Kështu që jo është përgjigja se nuk kam dijeni”, tha dëshmitari.


Nis dëshmia e Jock Covey në Hagë

Ish-zëvendësi i Bernard Kouchner, Jock Covey ka nisur dëshminë në ditën e dytë të tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai sot do të merret në pyetje nga prokuroria.


Vazhdon dëshmia e Covey-t në Hagë

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshminë e vazhdon dëshmitari amerikan Jock Covey, i cili gjatë viteve 1999-2001 ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Të martën dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pasi përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit, tri ekipet tjera mbrojtëse njoftuan se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.

Gjatë dëshmisë, Covey theksoi se UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirëorganizuar, ku komandantët në terren kishin autonomi të gjerë dhe vepronin në bazë të vendimeve të tyre lokale.

Back to top button