Steven Gerrard drejt Rangers

Steven Gerrard është pranë një rikthimi të bujshëm në stolin e Rangers, skuadrës me të cilën shkroi histori vetëm pak vite më parë. Sipas britanikes “The Guardian”, legjenda e Liverpool-it është një nga emrat kryesorë që po shqyrtohen nga drejtuesit e klubit skocez për të zëvendësuar Russell Martin, i cili u shkarkua së fundmi nga detyra e trajnerit.
Gerrard ka një të kaluar të lavdishme, ku në sezonin 2020-21 udhëhoqi Rangers drejt titullit kampion në Premier Ligën Skoceze, duke i dhënë fund dominimit të gjatë të rivalëve të Celtic dhe rikthyer lavdinë në një nga klubet më të mëdha të Skocisë.
Pas suksesit të tij në Skoci, ish-mesfushori i kombëtares angleze provoi veten në Premier League me Aston Villa, por aventura e tij përfundoi pa arritur objektivat e pritshme.
Më pas, ai mori drejtimin e Al Ettifaq në Arabinë Saudite, ku gjithashtu nuk arriti të lërë gjurmë dhe aktualisht është trajner i lirë. Rikthimi i tij te Rangers mund të shihet si një mundësi për të rilindur karrierën në një mjedis ku ka fituar respekt dhe dashurinë e tifozëve.
Zërat për rikthimin e mundshëm kanë ngjallur entuziazëm në radhët e tifozëve, të cilët e kujtojnë si njeriun që i riktheu lavdinë klubit pas një dekade dominimi të Celtic.
Drejtuesit e Rangers pritet të marrin një vendim gjatë ditëve në vijim, ndërsa emra të tjerë janë gjithashtu në listën e tyre, por Gerrard mbetet favorit kryesor për të rimarrë drejtimin e ekipit. Një ndryshim që mund të ndikojë edhe te fati i Nedim Bajramit.
Mesfushori i kombëtares shqiptare kishte dalë jashtë planeve, duke u aktivizuar me pikatore në këtë sezon.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?