Qeveria në detyrë: Avancimi i Kosovës në perspektivën e saj evropiane, pakrahasimisht më lart sesa krejt qeveritë e mëhershme

Edhe pse Kosova në maj të këtij viti dështoi të anëtarësohet në Këshillin e Evropës, edhe pse aplikimi i saj për anëtarësim në BE vazhdon të jetë në sirtar të presidencës së BE-së e derisa vendi ende nuk ka marrë parafinancimin nga Plani i Rritjes për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, Qeveria në detyrë thotë se Kosova asnjëherë më parë nuk ka përparuar më shumë në rrugëtimin e saj evropian sesa në qeverisjen tonë.
Duke përmendur disa të arritura në rrugën evropiane, këshilltari i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, Klisman Kadiu, tha për RTV21 se avancimi i Kosovës në perspektivën e saj evropiane është pakrahasueshëm më lart sesa krejt qeveritë e qeverisjet e mëhershme.
“Kosova asnjëherë më parë nuk ka përparuar më shumë në rrugëtimin e saj evropian sesa në qeverisjen tonë. Në vetëm katër vite, kemi arritur ta zhbllokojmë procesin e liberalizimit të vizave dhe ta bëjmë realitet lëvizjen e lirë nga 1 janari 2024. Ndërkohë në rrugën drejt integrimit evropian, kemi arritur zbatueshmëri të lartë të reformave, përmbyllur programin ERA II dhe vit pas viti kemi miratuar e realizuar Programin Kombëtar për Integrim Evropian (PKIE), kemi aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian e aprovuar në qeveri agjendën e reformave në kuadër të instrumentit të Planit të Rritjes duke qenë vendi i parë në rajon që e ka dorëzuar këtë agjendë të rëndësishme drejt BE-së, realizimi i së cilës është në proces. Në lidhje me Këshillin e Evropës, kemi aplikuar për anëtarësim në majin e vitit 2022, e kemi përmbyllur faza të rëndësishme drejt rrugës së anëtarësimit, kur edhe në prill 2024, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës u votua me 82 për qind të votave në favor, duke rekomanduar që Komiteti i Ministrave të ftojë Kosovën që të bëhet anëtare e organizatës. Këto arritje dëshmojnë se avancimi i Kosovës në perspektivën e saj evropiane është pakrahasueshëm më lart sesa krejt qeveritë e qeverisjet e mëhershme,” tha Kadiu për RTV21.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?