Pas triumfit historik ndaj Serbisë, mural me Rei Manajn në Mitrovicë

Rei Manaj i cili shënoi supergol në ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë, u përjetësua në mural në Mitrovicë. Pasi Kombëtarja shqiptare triumfoi ndaj Serbisë me rezultat 1:0, një mural i cili tregon momentin e festës së Manajt pas golit, u vendos jashtë palestrës “Minatori” në Mitrovicë.
Kombëtarja e Shqipërisë në futboll ka shënuar fitore të rëndësishme në kualifikimet për kampionatin botëror 2026 si mysafire ndaj Serbisë mbrëmë në Leskovc me rezultat 1:0.
Një gol i mrekullueshëm i Rei Manajt në minutën e dytë të kohës shtesë të pjesës së parë siguroi për kuqezinjtë tri pikë të mëdha në luftën për vendin e dytë në grupin K.
Ndeshjet e radhës, Shqipëria do t’i luajë kundër Andorrës në udhëtim më 13 nëntor dhe Anglisë si vendëse më 16 nëntor.
Pas gjashtë ndeshjeve, kuqezinjtë renditen në pozitën e dytë me 11 pikë, katër më pak se Anglia e para me 15 pikë nga pesë ndeshje. Serbia renditet e treta me 7, Letonia e parafundit me 5 dhe Andorra e fundit me një pikë.