LDK-ja prezanton 38 kandidatet gra, Abdixhiku: Zonja të forta që na japin dinjitet

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, njoftoi se të shtunën në një takim prezantuan 38 kandidatet gra të LDK-së, të cilat i ka quajtur “vajza e zonja të forta që i japin LDK-së energji, përkushtim dhe dinjitet”.
Ai ka thënë se sot duhet të ngrihet pyetja se “çfarë Kosove po ua lëmë vajzave tona”, duke shtuar se “nuk mund të pranojmë idenë se 65% e grave në Kosovë janë jo aktive!”
“Renditemi në nivel me vendet më të prapambetura në botë! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë, ku gruaja është e papunë por prapë punon – sepse familja është punë e përtej punës! Nuk mund të pranojmë idenë se kemi një sistem të tërë që gruaja pas punës duhet sërish të punojë! Sepse, sërish, familja është punë përtej punës!” ka shkruar ai.
Abdixhiku ka thënë se gratë përballen me diskriminim në punësim e dhunë në familje, e se për to duhet të punohet shumë.
“Përballë sfidave të tilla, duhet të kujtojmë se historia gjithmonë është formuar nga gra që refuzuan të pranojnë më pak. Gra që guxuan të ëndërrojnë më shumë për familjet dhe shoqëritë e tyre. Si prind i dy vajzave, si bashkëshort i një gruaje, si djalë i një nëne, ju them këtu se sfida juaj është dhe sfidë e imja! Dhe në qoftë kjo është sfida e fundit e imja, do ta bëjë me gjithë forcën që kam, përballë çdo pengese që kam, me gjithë kapitalin që kam”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?