Nis Samiti i Procesit të Berlinit në Londër

(Lajm i përditësuar)
Kurti në Procesin e Berlinit: Serbisë nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se përparimet e bëra në shtetin e tij mbesin nën “hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm” nga Serbia, duke kërkuar që Beogradi të mos lejohet që të veprojë “me pandëshkueshmëri”.
Në fjalën e tij në samitin e Procesit të Berlinit, që po mbahet në Londër, Kurti tha se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit në shtatorin e vitit 2023, nuk duhet të injorohet.
Ai kujtoi se për këtë sulm përgjegjësinë e ka marrë Millan Radoiçiq – ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit – por, ai nuk po përballet me drejtësi.
“Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti, sipas fjalimit të publikuar në Facebook.
Fotografia familjare e samitit të Procesit të Berlinit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka publikuar fotografinë familjare të Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor që po mbahet në Londër.
Në rend të parë shihet edhe kandelari gjerman, Friedrich Merz.
Ka nisur në Londër samiti i 12-të i Procesit të Berlinit. Në takim po marrin pjesë liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor e të shteteve të Bashkimit Evropian.
Mysafirët janë pritur nga sekretarja e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe e kryeministri Keir Starmer.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?