Kaloni te përmbajtja kryesore

Prokurori Shala ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për marrje të ryshfetit

(Lajm i përditësuar)


Prokurori Shala ndalohet për 48 orë, nën dyshimin për marrje të rushfetit

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala është ndaluar për 48 orë, i njëjti dyshohet për marrje të rushfetit.

Sistemi Prokurorial përmes një njoftimi ka bërë të ditur se gjatë bastisjes së zyrës së punës dhe shtëpisë së Shalës i janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale.

“I dyshuari B.Sh., për kryerjen e veprës penale “Marrja e ryshfetit”, me aktvendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar për 48 orë. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bazë të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, kanë kryer bastisje në zyrën e punës dhe në vendbanimin e të dyshuarit. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që do të shërbejnë gjatë procedurës hetimore penale. Prokuroria Speciale, brenda afatit ligjor të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit. Prokuroria Speciale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, rithekson përkushtimin në luftën kundër korrupsionit dhe në sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave të dyshuar për kryerjen e veprave penale korruptive”, thuhet në njoftim. /21Media

Prokurori Shala dyshohet se i mori 350 euro për të mos e caktuar paraburgimin ndaj një personi

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar në vendin e tij të punës, mëngjesin e së hënës në një aksion të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

Arrestimi i tij është bërë bazuar në një video-incizim të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”. Në të njëjtën kohë, ky video-incizim është pranuar edhe nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, dhe më pas janë zhvilluar hetimet nga PSRK-ja.

Kjo provë ngrit dyshimet për kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti” nga prokurori Shala.

Bazuar në video-incizimin, prokurori Shala është takuar me një avokate, që dyshohet të jetë Drenushë Berisha.

Takimi i tyre është zhvilluar më 25 gusht 2022 në veturën e Shalës. Avokatja Berisha në këtë takim dyshohet se i jep ryshfet Shalës 350 euro,për të mos paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit, pas ndalimit të klientit të saj për 48 orë.

Avokatja Berisha: Mirë bre mirë a u lodhe ti, qysh po kalon?

Prokurori Shala: Qe ia lëshova vendimin atij, të lirohet meniherë.

Avokatja Berisha: Po se më thirrën familjarët më tha u kry, se e kishin marrë atë djalin në sabah, se unë kur të thirra qatëherë, se kur të shkrujta faktikisht veç sa shkova në punë. Tani e kishin marrë, ken masdite. Prokuror unë nuk e dita që qeshtu, po të kallxoj realisht unë ja mora atyne dje qysh u mora vesh veç 700 jau kom marrë. Qe ku i kam paret, m’i kanë pru sot. Se a e din qysh ke puna, nuk është që më ka ndodh najherë, qeshtu hera e parë dhe nuk…

Prokurori Shala: Këqyre une..

Avokatja Berisha: Jo unë qe ku i kam 700.

Prokurori Shala:  Njerzit bajnë.

Avokatja Berisha: Ooo e di prokuror unë noshta edhe jom e re, dhe nuk është që më ka ra në qesi situate, tash jena.

Prokurori Shala: Kqyre ishalla ngo, qirak le t’bahet, as unë s’kam asi. A e din kur, mas nja pesë 5 vjete që i pata Beqë, jo mas një vjeti më kanë thanë Beqë- a e din Beqë Shala që njerëzit janë tu marrë parë në emër tanin. Kanë marrë (nuk kuptohet) heeej. S’po thom hallall, po kanë marrë a po kupton. Kanë marrë gjinja, ma kanë ngjit n’dorë, kanë thanë a po e sheh unë fola i dimë na ato, hin zyre e çel derën, thotë qe a po e sheh, a më pave e çela i fola. Le s’po e komplikojmë”.

Këto deklarime citohen në bisedën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”. Tutje, avokatja Berisha numëron paratë, dhe nga shuma prej 700 euro, gjysmën e tyre ia jep prokurorit Shala.

Prokurori Shala: Merre ti pjesën tane (nuk kuptohet).

Avokatja Berisha: Qe prokuror.

Prokurori Shala: Ja jaa

Avokatja Berisha: Jo unë, ti e din.

Prokurori Shala: Merri, merri.

Avokatja Berisha: Jo prokuror, qe 700.

Prokurori Shala: Merri moj.

Avokatja Berisha: Hiç s’është problem.

Prokurori Shala: Merri, merri. Pasha Zotin (nuk kuptohet).

(I numëron paratë)

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: Sa i ki?

Avokatja Berisha: 200.

Prokurori Shala: 250. Sa the?

Avokatja Berisha: 700 unë ja kom marrë deri në fund të procedurës.

Prokurori Shala: Ahaa, këtu ken 200, 350. Hajr i koftë, ishalla ia shohim hajrin.


Arrestohet prokurori Beqë Shala, dyshohet për marrje të ryshfetit

Prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Beqë Shala, është arrestuar gjatë një aksioni të zhvilluar nën drejtimin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kjo është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Sistemi Prokurorial.

I dyshuari sipas prokurorisë është arrestuar në vendin e punës.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, në bashkëpunim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prizren kanë arrestuar B.Sh nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”. I dyshuari B.Sh., prokuror në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, është arrestuar në vendin e punës. Prokuroria Speciale së bashku me Policinë e Kosovës, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim. /21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button