KQZ-ja s’ka buxhet për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme

Në kohën kur janë shtuar zërat dhe mundësitë për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme në dhjetor pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se nuk ka buxhet për një proces të ri zgjedhor parlamentar.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për RTV21 se në rastet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme KQZ-ja përgatitë planifikimin buxhetor dhe kërkesën e dërgon për miratim në Qeveri, meqë sipas tij ky institucion nuk ka buxhet të planifikuar për procese zgjedhore të paplanifikuara. Ai shtoi se një proces i ri zgjedhor është sfidues për KQZ-në, por që do të përmbushën detyrimet e saj kushtetuese dhe ligjore.
“Sa i përket debateve për zgjedhje te jashtëzakonshme KQZ -ja ashtu siç ka thënë do të përmbushë detyrimet e veta kushtetuese dhe ligjore në momentin kur zgjedhjet shpallen zyrtarisht. Natyrisht që një proces i ri zgjedhor është sfidues për KQZ sepse aktualisht jemi në proces të përmbylljes së zgjedhjeve lokale. Për një proces të ri zgjedhor parlamentar KQZ-ja s’ka buxhet të planifikuar sepse këto do të ishin zgjedhje të paplanifikuara. Në raste të tilla KQZ-ja përgatitë planifikimin buxhetor dhe kërkesën e dërgon për miratim në Qeveri”, tha Elezi për RTV21./RTV21/21Media