Siria e njeh pavarësinë e Kosovës

(Lajm i përditësuar)


Mediumi sirian shkruan për njohjen e Kosovës – e vendos në ballinë

Të mërkurën shteti i Sirisë, ka njohur pavarësinë e Kosovës. Këtë lajm e ka bërë të ditur presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në deklaratën zyrtare të Sirisë për njohjen e shtetësisë së Kosovës thuhet se “Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore”, transmeton portali rtv21.tv

Lidhur me këtë njohje mediumi i Sirisë, Sana.sy ka publikuar lajmin ku ky shtet njeh Kosovën si shtet sovran dhe demokratik, lajm të cilin e ka vendosur në ballinë.

“Republika Arabe Siriane shpreh shqetësimin e saj dhe rolin e saj për sjelljen e Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe rolin e saj në promovimin e politikës së dialogut, konvergjencës dhe konvergjencës së nivelit të lartë, të cilat kontribuojnë në sjelljen e tyre të favorshme. të gjitha interesave të përbashkëta të të dy kombeve”, thuhet në publikimin e mediumit sirian. /21Media


Osmani: Njohja nga Siria nuk erdhi brenda natës, do të ketë shumë lajme të mira në muajt në vijim

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është lajmëruar nga Riadi, nga ku paralajmëroi “shumë lajme të tjera të mira, në muajt që vijnë”.

Në një lidhje të drejtpërdrejt në profilin e saj në Facebook, Osmani tha se njohja e Kosovës nga Siria është një lajm i jashtëzakonshëm.

Është një lajm i jashtëzakonshëm sepse bën bashkë dy shtete në krijimin e marrëdhënieve diplomatike, ndërshtetërore, dy shtete që kanë vuajtur shumë nga luftrat e tmerrshme, që kanë humbur shumë, kanë sakrifikuar shum”, tha ajo.

“Sot ky akt i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe ky akt i njohjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Sirisë është më shumë sesa njohje e sovranitetit shtetërorë, është njohje e sakrificës së gjatë të popullit tanë për liri”, shtoi presidentja Osmani.

Osmani tha se “njohja nga Siria nuk ka ardhë brenda natës”, derisa tregoi për takimin e parë me presidentin e Sirisë në muajin prill, ku shtoi se “nga atëherë ekipet e dy shteteve kanë qenë në kontakt.

“Do të ketë natyrisht edhe tjera lajme të mira edhe muajve që vinë, ne do të punojmë pa ndalë në mënyrë që Kosova të forcohet në arenën ndërkombëtare që ta ketë vendin që e meriton në mesin e kombeve të lira, edhe njohja nga Siria nuk ka ardhur brenda natës. Ne kemi pasur takimin e parë me presidentin e Sirisë, në muajin prill dhe që nga atëherë ekipet tona janë të kontakt për të përgaditur ecjen përpara të dy shteteve tona. Dhe sot ky akt i njohjes së ndërsjellë u realizua me ndërmjetësimin dhe me mbështetjen, lidershipin e Princit të kurorës dhe kryeministrit të Arabisë Saudite i cili është një përkrahës i jashtëzakonshëm i Republikës së Kosovës”, deklaroi presidentja Osmani. /21Media


​Njohja nga Siria, Spiropali: Urime Kosovë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur vendimin e Sirisë për njohjen e Kosovës sot shtet i pavarur.

Ajo në një reagim në rrjetin X, ka shkruar se Kosova po e fiton vendin e merituar në familjen e madhe të kombeve.

“Kosova po përparon në rrugën e forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, falë përpjekjeve të popullit dhe institucioneve të saj për ndërtimin e një shteti demokratik e të zhvilluar, por edhe mbështetjes së miqve e partnerëve, të cilët e kanë ndihmuar procesin e saj të njohjes dhe shtet-ndërtimit.”

Spiporali ka falënderuar Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud për mbështetjen e dhënë në kurorëzimin e kësaj njohjeje.

“Jam e bindur se njohje pas njohjeje, Kosova do të sigurojë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të kombeve. Urime Kosovë”, shkruan Spiropali.

Siria sot ka njohur Kosovën duke u bërë shteti i 120-të në botë që merr një vendim të tillë që nga shpallja e pavarësisë së vendit tonë në shkurt të vitit 2008.


Njohja nga Siria, Begaj: Mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Siria.

Begaj tha se me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan.

“Republika Arabe e Sirisë njohu sot zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës. Me këtë vendim, Siria mbështeti shtetin e Kosovës dhe paqen e stabilitetin në Ballkan. Faleminderit të gjithë atyre që e mundësuan këtë njohje”, ka shkruar Begaj në Facebook.


Gërvalla: Mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve diplomatike me Sirinë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës në detyrë, Donika Gërvalla ka reaguar pas lajmit për njohjen zyrtare të Kosovës nga Siria, duke e cilësuar këtë si një hap historik për shtetin dhe popullin tonë.

Në një deklaratë zyrtare thuhet se kjo njohje e bën Sirinë shtetin e 120-të që e njeh Kosovën, dhe falënderon Presidenten Vjosa Osmani për përkushtimin dhe punën e saj në forcimin e pranisë ndërkombëtare të vendit, si dhe Presidentin al-Sharaa dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite për kontributin në këtë sukses diplomatik.

“Çdo ditë, Republika e Kosovës po bëhet më e fortë dhe më e respektuar në skenën ndërkombëtare. Në këtë frymë, mezi presim ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme diplomatike dhe bashkëpunimin konkret me Sirinë në fusha me interes të ndërsjellë,” thuhet në deklaratë.

Deklarata përfundon me një mesazh falënderimi:

“Shukran jazīlan, Sūriyā! Urime Kosovë!”


“Çdo njohje e re është një hap përpara”, Memli Krasniqi i gëzohet njohjes së Kosovës nga Siria

Kryetari i PDK-së, Memli Krasni ka reaguar për njohjen e Kosovës nga shteti i Sirisë.

Krasniqi ka shprehur mirënjohje ndaj miqëve të Kosovës lidhur me rolin e tyre në këtë proces të kësaj njohje.

Ndër të tjera ai shtoi se Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, diplomaci dhe besim në vetvete.

“Siria ka njohur pavarësinë e shtetit tonë, duke e çuar në 120 numrin e njohjeve ndërkombëtare. Mirënjohje për miqtë tanë që vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës dhe për rolin e tyre në këtë proces.
Çdo njohje e re është një hap përpara drejt forcimit të shtetësisë, integrimit dhe ringritjes së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për më shumë miqësi, më shumë diplomaci dhe më shumë besim në vetvete. Vizioni izolues duhet të marrë fund, dhe vendi ynë duhet t’i rikthehet politikës së jashtme aktive, bashkëpunuese dhe dinjitoze, në aleancë të plotë me partnerët tanë strategjikë”, ka shkruar i pari i PDK-së në Facebook./21Media


Kurti pas njohjes nga Siria: Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen

Kryeministri i Kosovës në detyrë Albin Kurti, ka uruar për njohjen e Kosovës nga Siria. Njohja u kumtua nga presidentja Vjosa Osmani.

Kurti tha se do të angazhohen që lidhjet mes dy shteteve, Kosovës dhe Sirisë të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë.

“Pas Kenias dhe Sudanit, Siria bëhet shteti i radhës që njeh Kosovën brenda këtij viti. Tre njohje dhe tre partneritete të reja më shumë për vendin tonë. Për këtë lajm të mirë për shtetin dhe të gjithë qytetarët tanë, i jemi mirënjohës përpjekjeve të suksesshme të Presidentes sonë Vjosa Osmani dhe mbështetjes së Mbretërisë së Arabisë Saudite si shtet mik e partner i Republikës sonë. Nga sot angazhohemi që lidhjet mes nesh të fuqizohen duke ngritur marrëdhënie bilaterale me interesa të përbashkëta dhe partneritete afatgjatë”, ka shkruar Kurti në Facebook.


“Vendim në frymën e paqes dhe stabilitetit”, deklarata zyrtare e Sirisë për njohjen e shtetësisë së Kosovës

Republika e Sirisë ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Në vendimin e bërë publik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës së Sirisë, pas një takimi trilateral në Riad ndërmjet Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.

Në deklaratë thuhet se diskutimet në Riad u përqendruan në mënyrat për të thelluar marrëdhëniet dhe mirëkuptimin e ndërsjellë, duke përfshirë njohjen reciproke dhe hapjen e perspektivave për bashkëpunim dypalësh.

“Republika Arabe e Sirisë njofton njohjen zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran, duke u bazuar në besimin e saj të fortë në të drejtën e popujve për të përcaktuar fatin e tyre dhe përkushtimin për paqe dhe stabilitet në Ballkan dhe në botë,” thuhet në deklaratë.

MPJD e Sirisë thekson se vendimi është marrë në kuadër të politikës së jashtme të hapjes dhe bashkëpunimit me vendet mike, në mënyrë që të forcohen marrëdhëniet e miqësisë dhe të avancohen interesat e përbashkëta.

Në deklaratë, Siria shpreh mirënjohje të veçantë për rolin e Mbretërisë së Arabisë Saudite, e cila ka ndihmuar në afrimin e palëve dhe në krijimin e kushteve për këtë vendim historik.

“Damasku pret me padurim krijimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës dhe zhvillimin e bashkëpunimit në fushat politike, ekonomike dhe kulturore,” përfundon deklarata.

Për këtë njohje njoftoi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Osmani falënderoi Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij ndaj popullit kosovar.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,” ka deklaruar Osmani.

Ajo ka shprehur mirënjohje edhe për Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite për rolin vendimtar në realizimin e këtij akti historik ndërmjet dy shteteve.

Me këtë njohje, numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës arrin në 120 shtete.


Haradinaj për njohjen nga Siria: Kosova po dëshmohet si aleate e botës demokratike

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas lajmit se Siria e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

Ai ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të vendit.

Njohja e Kosovës nga Siria është lajm që tregon se bashkëpunimi i ngushtë me miqtë dhe aleatët sjell rezultate të jashtëzakonshme. Vlerësoj punën e Presidentes në këtë sukses për afirmimin e shtetit tonë, duke u bërë kështu 120 shtete që e njohin Kosovën që nga pavarësia e saj. Kemi shumë punë përpara, mirëpo Kosova është këtu për të qëndruar me botën demokratike, në një frymë me aleancat tona”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.


Njohja nga Siria, Pacolli për Osmanin: Po e ndjek me vëmendje punën tuaj, mos u ndalni!

Behgjet Pacolli, ish-president i Kosovës ka përshëndetur lajmin për njohjen e Kosovës nga Siria, duke e quajtur atë një zhvillim shumë të gëzueshëm.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Pacolli e uroi Presidenten, Vjosa Osmani për arritjen dhe e inkurajoi që të vazhdojë punën diplomatike për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

“Sa e pashë lajmin se Siria e ka njohur Republikën e Kosovës, u gëzova shumë! Po e ndjek me vëmendje punën tuaj, zonja Presidente urime dhe mos u ndalni!”, ka shkruar Pacolli.


Siria njeh Kosovën

Siria e ka njohur zyrtarisht Republikën e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Facebook, duke theksuar se marrëveshja për njohje është arritur sot në Riad, me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

Osmani ka falënderuar Presidentin sirian Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës dhe për mbështetjen e tij ndaj popullit kosovar.

Postimi i plotë:

Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!

Back to top button