Prokuroria kërkon paraburgim për policin serb të arrestuar në Jarinje

Një pjesëtar i Policisë së Serbisë është arrestuar të shtunën në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin se ka kryer veprën penale të “importit, eksportit, furnizimit, transportimit, prodhimit, këmbimit, ndërmjetësimit ose shitjes së paautorizuar të armëve apo materieve plasëse”.
Lidhur me rastin, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Lajmin për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili ka thënë se kërkesa është dorëzuar të dielën.
“Për personin e ndaluar, gjatë ditës së diel Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për veprën penale ‘Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse’”, ka thënë Preteni.
Policia e Kosovë përmes raportit të saj ditor tha se në veturën e policit të dyshuar, me targa serbe, janë konfiskuar 51 fishekë, 9.900 euro para të gatshme dhe 26.000 dinarë serbë.
“Nga i dyshuari janë sekuestruar dokumente personale si kartela e identifikimit së bashku me distinktivin e Policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së Policisë Serbe, letërnjoftimi i Serbisë dhe Kosovës, pasaporta e Serbisë, një palë spaleta të uniformës, një palë dorëza dhe një USB”, thuhet në njoftim. /21Media
Arrestohet polici i Serbisë, i konfiskohet municion dhe afro 10 mijë euro