Kasapolli për Kurtin: Po blen vota dhe “nuk po e çan kokën”

(Lajm i përditësuar)
Shtesat e studentëve, Kasapolli: Është për keqardhje dhe ofenduese kur vjen nga Kurti
Analisti Gëzim Kasapolli, në emisionin “Click” të RTV21, e ka cilësuar për keqardhje dhe ofenduese ndaj studentëve njoftimin që kryeministri në detyrë u bëri studentëve për ndarjen e 100 eurove.
Kasapolli shtoi se ky veprim është ofendues për studentët për shkak se Albin Kurti, siç tha ai, ka avokuar për 20 vjet kundër abuzimit me paranë publike.
“Kjo sot çka ndodhi me studentët është për keqardhje më së paku, por është edhe ofenduese për studentët, e posaçërisht kur vjen nga një lider i një grupacioni politik i cili ka avokuar për 20 vjet kundër abuzimit me paranë publike. Ajo çka ka ndodhur është shkelja ndoshta e fundit e kauzave mbi të cilat është ndërtuar Vetëvendosje, mbi të cilat është ndërtuar edhe vetë kulti i Albin Kurtit”, deklaroi ai. /RTV21/21Media
Kasapolli për Kurtin: Po blen vota dhe “nuk po e çan kokën”
Analisti Gëzim Kasapolli, në emisionin “Click” të RTV21, tha se kryetari i VV-së, Albin Kurti, po blen vota dhe i njëjti, sipas tij, nuk po e çan kokën.
Për qeverinë në detyrë, Kasapolli dha një përshkrim të shkurtër:
“Njeriu njërën dorë që ta futë në xhep e me tjetrën dorë bën me gisht ‘qyky hajni’, ky është përshkrimi i cili mund t’i bëhet kësaj qeverie”, theksoi ai.
Ai shtoi se Kurti nuk është i bindur ende që e ka humbur 50 përqindëshin e votave.
“Albin Kurti po blen vota edhe nuk po e çan kokën. Unë besoj që zoti Kurti e ka dëshmuar edhe një herë që ai është vetë shteti dhe po e luan rolin si i tillë. Ai ende nuk është i bindur që e ka humbur 50% dhe ende thirret në votën e popullit”, tha ai. /RTV21/21Media
Kasapolli: LVV-ja nuk do ta dorëzonte pushtetin në qetësi
Analisti Gëzim Kasapolli, në emisionin “Click” në RTV21, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta dorëzonte pushtetin në qetësi.
“Ajo që kemi parë gjatë këtyre nëntë muajve është vetëm overtura e asaj që do të jetë në rast se LVV nuk e merr shumicën. Të jemi të sinqertë, LVV ka hyrë në pushtet në mënyrë klandestine, në mënyrë të rebeluar. Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë matur me gurët që kanë hedhur”, tha ai, duke shtuar se partitë ish-opozitare do të duhet të kenë parasysh se si ta menaxhojnë situatën nëse LVV-së do t’i duhet ta dorëzojë pushtetin./21Media