Përfundon numërimi i votave nga diaspora, me kusht dhe me nevoja të veçanta

(Lajm i përditësuar)


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet përfundimtare të votave me postë, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta për disa komuna të Kosovës në kuadër të procesit zgjedhor.

Këto janë të dhënat e detajuara zyrtare të KQZ-së për komunat Prishtinë, Fushë Kosovë, Pejë, Mitrovicë e Jugut dhe Viti.

Nga votat nga diaspora në komunën e Prishtinës më së shumti i ka marrë kandidati i Vetëvendosjes. Hajrulla Çeku ka marrë gjithsej 395 vota, ndërsa Përparim Rama ka marrë 168 vota.

Poashtu edhe në komunën e Fushë Kosovës, ka përfunduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta.

Valon Prebreza i VV-së prin me votat me kusht dhe ka siguruar 70.18% të tyre, ndërsa Besnik Osmani i LDK-së ka marrë 29.82%. Kurse, te votat me nevoja të veçanta kryeson Osmani me 51.61%, ndërsa Prebreza ka marrë 48.39% të këtyre votave.

Kurse në rezultatet e numërimit të votave me kusht dhe të atyre të personave me nevoja të veçanta për balotazhin e 9 nëntorit në Komunën e Pejës, janë këto rezultate:

Sa i përket votave me nevoja të veçanta, Gazmend Muhaxheri ka marrë 107 vota, ndërsa kandidati i VV-së, Taulant Kelmendi, vetëm 38. Ndërsa te votat me kusht, Kelmendi ka marrë 14 vota, ndërsa Muhaxheri vetëm 8.

Sipas të dhënave në faqen e KQZ-së në votat me postë për Komunën e Mitrovicës së Jugut, fitore ka shënuar kandidati i Vetëvendosjes, Faton Peci i VV-së i cili ka marrë gjithsej 298 vota, kurse Arian Tahiri i PDK-së ka marrë 125 vota.

Ndërkaq në komunën e Vitisë pas numërimit të votave me postë, nga të cilat Ademi ka marrë 317 dhe Sokol Haliti 234, LDK ka arritur të mbajë primatin e partisë fituese të balotazhit, me një dallim prej vetëm 136 votash në rezultatin përfundimtar. Sipas faqes së KQZ-së, Sokol Haliti ka gjithsej 8,622 vota, ndërsa Arsim Ademi 8,486./21Media


Përfundon numërimi i votave nga diaspora, me kusht dhe me nevoja të veçanta

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të shtunën ka përfunduar numërimi i votave nga diaspora, me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta për balotazhin e zgjedhjeve lokale.

Përmes një njoftimi në Facebook nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është thënë se nga 8 mijë e 932 pako të aprovuara, mbi 3 mijë janë refuzuar për shkak të mungesës të dëftesës së regjistrimit.

KQZ ka bërë të ditur se të hënën procesi i numërimit do të vazhdojë për një pjesë të pakove që janë tërhequr nga kutitë postare në ShBA dhe Australi. /21Media


Mbi 3 mijë pako të votuesve jashtë vendit refuzohen nga KQZ për mungesë dokumentacioni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sot në ora 10:00 për ecurinë e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë në 18 komuna të vendit.

Sipas raportit zyrtar, deri tani janë pranuar gjithsej 12,018 pako me fletëvotime brenda Kosovës.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellë deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, njoftoi KQZ.

“Gjatë datave 11–12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete janë tërhequr 13,084 pako të votuesve që kanë dërguar fletëvotimet e tyre me postë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar nga jashtë për këto komuna është 29,752”.

KQZ njofton se për shkak të distancës së madhe, 519 pako të tjera nga SHBA, Kanada dhe Australi ende nuk kanë arritur në Kosovë. Sipas KQZ-së, këto do të vlerësohen dhe numërohen menjëherë sapo të mbërrijnë.

Paralelisht me këtë proces, KQZ ka numëruar të premten rreth 750 fletëvotime nga votimi me kusht, si dhe 1,441 fletëvotime nga votimi i personave me nevoja të veçanta, përfshirë fletëvotimet e mundësuara përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve.

Rezultatet nga votimi me kusht dhe nga votimi i personave me nevoja të veçanta janë publikuar tashmë në platformën zyrtare të rezultateve, në seksionin e veçantë “Rezultatet QNR”.

Në të njëjtën platformë do të publikohen edhe rezultatet pas numërimit të fletëvotimeve me postë jashtë Kosovës, sapo të përfundojë procesi.

KQZ ka theksuar se të gjitha procedurat po zhvillohen me transparencë të plotë dhe se përditësimet e tjera do të jepen në vazhdimësi, deri në përfundimin e numërimit përfundimtar të votave.


​Fillon numërimi i votave jashtë Kosovës, KQZ në pritje të votave nga ShBA, Kanada dhe Australia

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me numërimin e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 Komunave.

Numri i fletëvotimeve që gjatë ditës së shtunë do të numërohen është rreth 9 mijë pako me fletëvotime, por në këtë numër ende nuk përfshihen fletëvotimet e tërhequra nga kutitë postare në SHBA, Kandada dhe Australi, që për shkak të largësisë ende nuk kanë arritur në Kosovë.

Këto detaje i ka bërë të ditura zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Gjatë ditës së premte, është përmbyllur procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellur deri më tani në Kosovë. Për shkak të largësisë, ende nuk janë sjellur në Kosovë 519 pakot me fletëvotime nga kutitë postare në ShBA, Kanadë dhe Australi, vlerësimi dhe numërimi i të cilave do të bëhet pasi të arrijnë”, tha Elezi.

Sipas tij, jo të gjitha pakot me fletëvotime që janë pranuar nga jashtë Kosovës kanë arritur që të kalojnë procesin e vlerësimit dhe verifikimit, pasi mbi 3 mijë janë refuzuar.

“Nga procesi i vlerësimit të 12,018 pakove me fletëvotime që janë sjellur deri më tani në vendin tonë, janë aprovuar 8,932, ndërkaq janë refuzuar 3,086. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,009 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi. /kp


Sot nis numërimi i votave me postë

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve sot me fillim nga ora 10:00 do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës.

Lajmi për portalin rtv21.tv është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Ju njoftoj se të shtunën (15 nëntor 2025, ora 10:00) në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve do të fillojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave”, tha Elezi.

Ndërkaq, sipas të dhënave të KQZ-së, deri në pasditen e së premtes më shumë 12 mijë pako të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës dhe që i takojnë zgjedhjeve të raundit të dytë për kryetarë të 18 komunave, janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.

“Deri pasditen e së premtes, nga pjesa e pakove me fletëvotime që janë sjellur në Kosovë, procesit të vlerësimit i janë nënshtruar më shumë se 12,000 prej të cilave janë aprovuar më shumë se 8,930, ndërkaq janë refuzuar rreth 3,080. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 3,000 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

Ai shtoi se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, kurse numri i votuesve të regjistruar për votim jashtë Kosovës në 18 komunat ku u mbajt raundi i dytë ishte 29,725 votues.

Back to top button