KRU “Prishtina” apel qytetarëve: Mos i hapni pusetat e kanalizimit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, u ka bërë apel qytetarëve të mos i hapin pusetat e kanalizimit, pas paralajmërimeve nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës për vërshime.
“Përgjatë reshjeve të dendura, ndalohet rreptësisht hapja e pusetave të kanalizimit në mënyrë që ujërat e shiut të depërtojnë brenda në kanalizim, me ç’rast uji mund të depërtojë në shtëpitë tuaja”, thuhet në thirrjen e KRU-së.
Në apel thuhet se linjat e kanalizimit (ujërat fekale) në qytetin e Prishtinës janë në gjysmën e tyre linja të vjetra, të cilat janë dimensionuar dhe vendosur shumë kohë më përpara.
KRU po ashtu thotë se sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta (atmosferike dhe fekale) dhe kjo e rëndon dukshëm gjendjen e funksionimit në rastet kur ka reshje të vrullshme apo të shumta shiu.
Në apel theksohet nevoja për t’i ndarë ato.
“Përderisa qyteti i Prishtinës pothuajse në çdo lagje ka pësuar ndryshime në ndërtime të larta – objekte banesore – rritje e tejskajshme e numrit të banorëve, aty ku janë të përbashkëta, duhet ndarë”, thuhet tutje në thirrjen e KRU-së.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar për rrezik të vërshimeve të shpejta në disa lokalitete në Kosovë sot dhe nesër për shkak të reshjeve me intensitet të lartë të shiut e që kanë nisur nga orët e para të së martës./21Media