Kaloni te përmbajtja kryesore

Hajdaraj: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese

(Lajm i përditësuar)


Hajdaraj: Kelmendi u shkarkua për shkak të qëndrimeve të njëanshme e denigruese

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, tha se Besim Kelmendi është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit për shkak të qëndrimeve të njëanshme dhe denigruese në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie. Ai tha se mirëpresin faktin që Kelmendi do të ndjek rrugët ligjore për të kontestuar vendimin për shkarkimin e tij.

Në një konferencë për medie të thirrur të martën, Hajdaraj duke folur për zhvillimet e fundit në KPK, tha se në mbledhjen e 20 nëntorit, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi dhe katër anëtarë të tjerë lëshuan kundërligjshëm mbledhjen, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, në atë takim anëtarët e Këshillit erdhën të përgatitur dhe me qëllim për të bllokuar punën e Këshillit, e që në asnjë rrethanë nuk duhet të bllokohet, por të ketë funksionim normal për të përmbushur mandatin e tij.

Besim Kelmendi në mbledhjen e 20 nëntorit u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit. Vendimi u mor nga pesë anëtarë të Këshillit të pranishëm në atë takim, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje. Ky vendim ka nxitur reagime të shumta dhe është cilësuar si kundërligjor. Vetë Kelmendi ka paditur KPK-në duke kërkuar anulimin e vendimit.

“Nga qëndrimet e njëanshme dhe denigruese të shprehura nga zoti Kelmendi në takimet e Këshillit dhe prononcimet për medie, është zbehur ndjeshëm roli unifikues që i takon Kryeprokurorit të Shtetit në sistemin prokurorial, si dhe ka cenuar besimin e publikut në sistemin prokurorial”, tha Hajdaraj.

Andaj, ai thotë se për këtë arsye kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit nga kjo pozitë.

Sipas tij, për shkak të këtyre arsyeve dhe të tjera politike, sistemi prokurorial ka mbetur pa dekretimin e Kryeprokurorit të Shetit. Tha se në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, kanë marrë vendim për shkarkimin e Kelmendit, ndërkaq theksoi se në vend të tij caktuan Agron Qalajn.

“Ne e mirëpresim qasjen e zotit Kelmendi për të ndjekur të gjitha rrugët ligjore për ta kontestuar ligjshmërinë e këtij vendimi. Ne duhet t’i besojmë sistemit tonë gjyqësor për vendimet që merr, përfshirë edhe këtë çështje”, shtoi Hajdaraj.

Por, sipas tij, tentimi për të penguar punën dhe funksionimin e Këshillit Prokurorial, përbën sulm të drejtpërdrejtë në punën e këtij institucioni dhe kërcënim për sigurinë juridike.

Hajdaraj tha se Besim Kelmendi ka mundur të ndjek të gjitha rrugë ligjore ndaj kujtdoqoftë e jo të dalë në konferencë për shtyp për të shfaqur pretendime për presion, shantazh e forma tjera ndaj një prokurori brenda sistemit.

“Kësisoj ai nuk e ka kryer detyrën e tij sipas Kushtetutës dhe Ligjit, përkundrazi me këto veprime ka lëkundur seriozisht besimin e publikut në sistemin prokurorial”, u shpreh Hajdaraj.

Ai i bëri thirrje Qalajt që të shqyrtojë të gjitha pretendimet e Kelmendit, për të trajtuar dhe hetuar përgjegjësinë e gjithë personave të përfshirë në rast.


Kryesuesi i KPK-së: Deklarimi i anëtarit të Këshillit se ndihen të rrezikuar, përbën hije të keqe e thirrje për dezinformim të publikut

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, në konferencë për medie të enjten, tha se deklarimi i anëtarit të Këshillit, Visar Krasniqi se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI, përbën hije të keqe e thirrje për dezinformim të publikut.

Sipas tij, prononcimi publik i Kelmendit lidhur me procesin e zgjedhjes së një anëtari të KPK-së, ishte qasje e njëanshme dhe e orientuar me qëllim të ndikimit të anëtarët aktualë të Këshillit. Tha se shqyrtimi i Raportit zgjedhor ishte në proces dhe i caktuar si pikë e rendit të ditës, fillimisht më 13 nëntor (që ishte aprovuar) e më pas me kërkesë të prokurorit Arian Gashi ishte shtyrë për 20 nëntor, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai thotë se një ditë para këtij takimi, Kelmendi mbajti konferencë për medie ku fjalimin e tij e filloi dhe përfundoi me cilësime për këtë proces zgjedhor, ndonëse ishte thirrur për diçka tjetër.

Sipas Hajdarajt, në mbledhjen e 20 nëntorit, Besim Kelmendi shprehu qëndrim të hapur kundër funksionimit të mëtejshëm të Këshillit, dhe që ai bashkë me katër anëtarë të tjerë u larguan nga takimi me konkludime paragjykuese për vendimmarrje për procesin zgjedhor, duke pamundësuar certifikimin e kandidatit.

Kryesuesi i KPK-së thotë se largimi nga takimi dhe më pas deklarimi i katër anëtarëve dhe Besim Kelmendi nuk do ta lëshojë zyrën e tij, përbën mosbindje dhe mospërfillje ndaj vendimeve të ligjshme të Këshillit.

“Referuar deklarimit të anëtarit të Këshillit në atë konferencë të mbajtur në objektin e zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit se ndihen të rrezikuar dhe kërkojnë mbrojtje nga AKI dhe organet tjera të sigurisë, kjo përbën hije të keqe dhe thirrje për ta dezinformuar publikun”, tha Hajdaraj.

Ai shtoi se askush nuk është kërcënuar, shantazhuar apo tentuar të ndikohet nga ndonjë formë e ndikimit të paligjshëm. Tha se mendimet dhe vendimet për çështje të caktuara nga fushëveprimi i Këshillit, përbëjnë mendim ndryshe për të cilin anëtarët e Këshillit gëzojnë imunitet funksional.

Sipas tij, dallimet që mund t’i kenë në çështje të caktuara, duhet të tejkalohen me gjuhën e afrimit e koordinim. Tha se s’ka e s’do të ketë vend për përçarje në KPK.


Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

Po ashtu, Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

“Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, pasi e mbylli zyrtarisht mbledhjen duke konstatuar mungesën e kuorumit, në të njëjtën ditë caktoi një takim të ri pas vetëm disa minutave. Në takimin e ri të pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial, morën pjesë vetëm: Jetish Maloku, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi dhe kryesuesi Ardian Hajdaraj, ndërsa nuk ishin të njoftuar apo të ftuar fare anëtarët tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Veton Shabani, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe tani paditësi Besim Kelmendi. Në këtë takim të dytë vetëm nga 5 anëtarë të KPK-së është marr vendimi KPK.nr.2062/2025 i datës 20.11.2025, me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në padi.

Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute.

Aty potencohet se neni 37/A i Ligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i titulluar si dispozitë kalimtare, përcakton qartë dhe në mënyrë imperative se: “Derisa të zbatohet përbërja e përhershme e Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm.

“KPK aktualisht sipas një analize të vet KPK-së, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë të zgjedhur. Duke u bazuar në formulën eksplicite të nenit 37/A, kuorumi i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e çdo vendimi është: gjysma e anëtarëve të zgjedhur (11 : 2 ≈ 5,5) e rrumbullakosur në pesë (5), plus një (1) anëtar – pra gjithsej gjashtë (6) anëtarë”, thuhet në padi.

Por, në padi thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

“Për pasojë, KPK nuk ka pasur organ kolegjial të konstituuar në atë çast dhe, si rrjedhim, nuk ka pasur as kompetencë funksionale për të marrë vendime”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

Për këtë arsye, paditësi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

Sipas padisë, KPK e ka trajtuar shkarkimin e paditësit sikur të ishte miratimi i një plani pune apo vendim rutinë administrativ, pa e vënë në lëvizje mekanizmin e komisionit disiplinor, pa hetim, pa mbledhje provash, pa dhënien e mundësisë së dëgjimit të subjektit, dhe pa respektuar pragun e kërkuar të 2/3 të votave.

Gjithashtu, në padi thuhet se KPK-ja pretendon se paditësi paska “shprehur qëndrim të njëanshëm publik”, pa theksuar së si u shpreh ky qëndrim, dhe këtë e konsideron si “denigrim të pozitës”.

“Ligji nuk e njeh këtë formulim si shkak për shkarkim. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që e bën “deklarimin publik” arsye për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Aq më tepër pa asnjë procedurë ligjore”, thuhet në padi.

Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

Këshilli Prokurorial, sipas paditësit, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

“Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës konfirmon në mënyrë të përsëritur se: aktet e nxjerra nga organ pa kompetencë materiale ose funksionale nuk krijojnë efekt juridik (p.sh. KI 99/14); kuorumi është kusht themelor për vlefshmërinë e vendimeve të organeve kolegjiale (p.sh. KI 196/21); ndërhyrjet arbitrare në mandatin dhe statusin e institucioneve të pavarura janë antikushtetuese (p.sh. KO 73/16); dhe ndërprerja e mandatit pa procedurë të rregullt shkel sigurinë juridike (p.sh. KI 64/18)”, theksohet në padi.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare. Dhe që i padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës.

Me anë të padisë, paditësi ka paraqitur edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë me qëllim të ruajtjes së gjendjes juridike ekzistuese dhe parandalimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm deri në marrjen e një vendimi meritor, si dhe sigurimi që procesi gjyqësor të zhvillohet me kuptim e efekt.

Sipas padisë, vendimi i KPK-së ka krijua dëm të rëndë real, të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejt dhe të pakthyeshëm, si pasojë e veprimit të kundërligjshëm, sepse paditësi mund të humbasë pozitën e tij si Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

Aty thuhet se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është funksioni më i lartë brenda sistemit prokurorial dhe çdo ndërhyrje e paligjshme në ushtrimin e saj prodhon pasoja të thella profesionale dhe institucionale. Thuhet se humbja e kësaj pozite qoftë edhe përkohësisht, krijon pasoja reputacionale dhe profesionale që nuk mund të zhbëhen me një vendim të mëvonshëm gjyqësor

Në padi theksohet se shkarkimi i paligjshëm prek drejtpërdrejt autoritetin, integritetin dhe figurën publike të paditësit, duke shkaktuar një dëm që nuk mund të pakthyeshëm nëse masa nuk vendoset menjëherë.

“Çdo ndryshim në krye të institucionit, i bazuar në një akt të pavlefshëm, prodhon efekte zinxhirore të pakthyeshme si brenda institucionit, ashtu edhe në perceptimin e publikut dhe në stabilitetin e sistemit prokurorial”, thuhet në padi.

Më tej thuhet se vendosja e masës së përkohshme të sigurisë jo vetëm që nuk e cenon interesin publik, por e mbron drejtpërdrejt atë.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të KPK-së dhe paditësi të vazhdojë të ushtrojë detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.

Rasti i Besim Kelmendit që është raportuar nga “Betimi për Drejtësi”.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, është shkarkuar nga kjo pozitë në mbledhjen e së enjtes (20 nëntor 2025) me vendim të marrë nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
KPK-ja pas shkarkimit të Kelmendit, si u.d Kryeprokuror të Shtetit caktoi prokurorin Agron Qalaj.
Më 19 nëntor, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) në cilësinë e dëshmitarit lidhur me procesin hetimor për masakrën e Reçakut.
Kelmendi pas intervistimit kishte deklaruar se deri më 2001 s’ka qenë në Reçak.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurit të Shtetit, Besim Kelmendi në mbledhjen e Këshillit pasi u propozua shkarkimi i tij nga kjo pozitë, kishte deklaruar se kjo është e planifikuar në mënyrë që në këtë pozitë të vijë njeriu i besueshëm i atyre që po dëshirojnë ta shkarkojnë.
Një ditë më parë, anëtari i KPK-së, Visar Krasniqi, e bëri drejtpërdrejt përgjegjës kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, duke thënë se ai qëndron prapa gjithë procesit të shkarkimit të Besim Kelmendit.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka cilësuar të pasakta dhe ta pabazuara deklarimet disa anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës se Blerim Isufaj qëndron prapa shkarkimit të u.d të Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Zyra e BE-së ka reaguar duke thënë se shkarkimi i Kelmendit pengon reformën e nevojshme të KPK-së dhe progresin e Kosovës në rrugën drejt BE-së
Ndërkohë, IKD ka vlerësuar se shkarkimi abuziv i U.D. Kryeprokurorit të Shtetit është tentativë e qartë për ruajtjen e strukturës korporatiste në KPK.
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se në koordinim me shtetet e QUINT-it po analizojnë zhvillimet serioze në KPK. Tha se është e pafalshme që 26 vjet pas luftës anëtarët e Këshillit ndihen të kërcënuar.
Pesë anëtarët e KPK-së që vendosën për shkarkimin e Kelmendit, i vlerësuan si të pavërteta e të pabazuara deklarimet për kërcënime ndaj pjesës tjetër të anëtarëve. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button