Elezi: Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional

Partitë politike duhet që të martën ti dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
E KQZ-ja ka paralajmëruar se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë në zgjedhjet e 7 qershorit për Kuvendin e Kosovës, do t’i nënshktrohen procesit të verifikimit institucional.
Përmes këtij procesi, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të kontrollojë nëse kandidatët për deputetë i përmbushin kriteret ligjore për pjesëmarrje në zgjedhje, në përputhje me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, përkatësisht nenin 30 të tij.
“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, një person nuk mund të certifikohet si kandidat nëse ai apo ajo është: funksionar me status të veçantë në bazë të ligjit në fuqi për Zyrtarët Publikë, është dënuar në tre vjetët e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale e nëse ka dështuar të paguajë gjobën e vënë nga PZAP-i, ose KQZ-ja.
Procesi i verifikimit të kandidatëve pritet të zgjasë disa ditë.
“Në mesin e institucioneve nga të cilat KQZ do të kërkojë verifikim të kandidatëve, është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme theksohet se kandidat nuk mund të jetë një person nëse “është dënuar në 3 vitet e fundit me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale, me një ose më shumë vjet burgim efektiv, andaj për zbatimin e këtij kriteri ligjor, KQZ-ja do të kërkojë nga KGjK-ja verifikimin e listës së kandidatëve për të konstatuar nëse ndonjëri prej tyre bie ndesh me këtë kufizim”, tha Elezi.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?