Marrin mandatin kryetarët serbë në katër komunat në veri, betohen para simboleve shtetërore të Kosovës

Në katër komunat në veri të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, janë mbajtur seancat konstituive në të cilat kryetarët e rinj morën pushtetin.

Milan Radojeviq është betuar si kryetar i ri i Mitrovicës së Veriut. Radojeviq ka pasuar Erden Atiqin.

Milosh Peroviq po ashtu e ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin-Potokut.

Peroviqi në betimin e tij u shpreh se do ta ushtroj detyrën e tij me ndershmëri dhe besnikëri që t’i siguroj Komunës së Zubin Potokut kushte më të mira.

Gjithashtu është betuar edhe kryetar i ri i Komunës së Zveçanit, Dragisha Miloviq. Ai ka thënë se përpara i presin sfida, por ka shtuar se duhet të ruhet paqja e siguria në komunë.

“Pas 3 viteve kjo ditë është solemne. Kuvendi po merr përfaqësuesit legjitim në kuvend. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë qytetarët tanë që kanë dhënë për neve. Periudha para nesh nuk do të jetë e lehtë, do të jetë me sfida. Të ruajmë së paku paqen dhe sigurinë në hapësirën e komunës. Çdo familje që banon në Zveçan të ndihet e sigurt”, ka thënë Miloviq pas betimit.

Zoran Todiq është betuar po ashtu si kryetar i ri i Leposaviqit.

Në sallat ku është bëtë betimi janë vendosur flamuri i Kosovës si dhe fotografia e Presidentes Vjosa Osmani.

Ndërkohë, është betuar edhe Novak Ziviç si kryetar i ri i Graçanicës.

Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani e Zubin-Potoku janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i vitit 2023, pas dorëheqjes së atyre të Listës Serbe në nëntor 2022.

Back to top button