“Era” prek emocionet e publikut në Shkup! Filmi i Parta Kelmendit rikthen kujtimet e viteve ’90 në Kosovë

Emocion, nostalgji, dhembshuri dhe guxim.

Këto ishin fjalët më të shpeshta që u thanë për filmin “Era” të regjisores Parta Kelmendi, premiera e të cilit u dha mbrëmë në Shkup.

Që në minutat e para, publiku e kuptoi se ky nuk ishte film, por një kujtesë e gjallë e viteve 90-ta në Kosovë.
“Njeriu është i krijuar që të harrojë, por shyqyr e kemi artin për të na i rikujtuar gjërat që i kemi përjetuar si popull dhe të vetëdijesohemi më shumë, ta vlerësojmë njëri tjetrin më shumë. -Nëse do ta përshkruaje me tre fjalë këtë film cilat do të ishin? Emocional, familjar dhe i dhembshur”, Sabina Memishi Asllanaj, aktore.
“Realisht të gjithë që ishim në sallë më duket të gjithë ishim kështu pas filmit… dhe na ka lënë një përshtypje tepër të mirë, besoj që është një zhanër i filmit i cili realisht edhe na mëson pak edhe neve që ndoshta nuk kemi qenë në të atë periudhë, ta kuptojmë pak më mirë gjendjen e asaj kohe në Prishtinë, në Kosovë në përgjithësi”, u shpreh Vildane Abazi.
Regjisorja Parta Kelmendi tregoi se ky projekt ka lindur nga nevoja për të kuptuar të kaluarën, me qëllim që të shpjegojë veten dhe shoqërinë e sotme se pse janë ato që janë.

“Unë mendoj që jemi një popull të cilët kemi kaluar nëpër situata shumë të vështira, jemi një popull shumë i fortë, kemi pasur një rezistencë të madhe, dhe ato që i kemi kaluar deri sot kemi mundur t’i kalojmë, mund të kalojmë gjithçka tjetër, kështu që forca është ajo që na bën neve njerëz të veçantë”, tha Parta Kelmendi, regjisore.
Për sjellë filmin në jetë, Kelmendi tha se i janë dashur 5 vite punë intensive, por shprehet se ka dalë më mirë sesa e kishte menduar.

“Unë projektin e kam fituar në Qendrën Kinematografike të Kosovës 2017-tën, kështu që kanë kaluar shumë vite prej atëherë, punë intensive kanë qenë sidomos 5 vitet e fundit, nuk arrin gjithmonë ta sjellësh atë që e ke menduar, por shumë gjëra dalin shumë më mirë sesa ata që i ke menduar, sepse ndodh një magji në set kur punon me ekipën secili person prej ekipës e jep kontributin e vet artistik”, theksoi tha Parta Kelmendi, regjisore.

Filmi “Era” së shpejti do të nisë të shfaqet edhe në Cineplex në Shkup. Filmi tashmë ka marrë vlerësime ndërkombëtare dhe ka qenë pjesë e Seleksionimit Zyrtar të Brooklyn Film Festival. Premiera do të vazhdojë të jepet edhe nëpër disa vende të Evropës.

Back to top button