Drama e Astrit Kabashit fiton çmimin e parë në Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Drama e Astrit Kabashit “Lufta” fiton çmimin e parë në Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë çmimet për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2025, përmes jurisë ka vlerësuar veprat më të mira dramatike të autorëve vendorë.

Çmimi kryesor, vendi i parë për dramën më të mirë origjinale shqipe, i është ndarë Astrit Kabashit për veprën “Lufta”, e cila u vlerësua nga juria për fuqinë tematike dhe trajtimin artistik.

Vendi i dytë i është ndarë po ashtu Astrit Kabashit për dramën “Pse ke frikë”, ndërsa vendi i tretë ka shkuar për Florent Kurtalanin me veprën “Kurora”.

Kabashi, ka marrë çmimin për dramën më të mirë edhe në konkursin “Katarina Josipi” në vitin 2023. Ai tha se këto çmime janë një shtysë e rëndësishme për artistët, por se motivimi edhe më i madh vjen atëherë kur këto drama arrijnë të ngjiten në skenë.

Çmimi “Katarina Josipi” konsiderohet një nga vlerësimet më të rëndësishme në fushën e dramaturgjisë shqipe dhe synon nxitjen e krijimtarisë letrare si dhe zhvillimin e artit teatror në Kosovë./RTV21/21Media

Back to top button