Nisin homazhet në nderim të jetës dhe veprës së Nexhat Dacit

(Lajm i përditësuar)


Osmani nderon ish-kryeparlamentarin Nexhat Daci

Presidentja Vjosa Osmani, ka kryer homazhe sot në Kuvendin e Kosovës për ish-kryetarin e Kuvendit, Nexhat Daci, i cili vdiq të enjten në moshën 81-vjeçare.

Presidentja, së bashku me zotëriun e parë, Prindon Sadriu, kanë bërë homazhe pranë arkivolit të ish-kryetarit të Kuvendit.

Me këtë rast, Osmani ka nderuar figurën dhe kontributin e Dacit në ndërtimin e institucioneve demokratike të vendit.

Ajo ka shkruar edhe në librin e zisë, ku ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen Daci, miqtë dhe bashkëpunëtorët.

Në homazhe kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, personalitete nga jeta politike e akademike, si dhe qytetarë që kanë ardhur për t’i dhënë lamtumirën e fundit ish-kryeparlamentarit.


Nisin homazhet shtetërore për Nexhat Dacin në Kuvendin e Kosovës

Kanë filluar homazhet për ish-kryeparlamentarin, Nexhat Daci, të cilat po mbahen në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Në homazhe po marrin pjesë familjarë, përfaqësues institucionalë, bashkëpunëtorë dhe qytetarë, të cilët po i bëjnë nderimet e fundit të ndjerit.

Sipas agjendës zyrtare të ceremonisë mortore, aktivitetet do të vazhdojnë me Akademinë Përkujtimore, e cila do të mbahet nga ora 12:00 deri në 12:45 në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë, ceremonia e varrimit me nderime shtetërore do të zhvillohet nga ora 13:40 deri në 14:20, në Varrezat e Dragodanit.


Sot varroset me nderime shtetërore ish-kryeparlamentari Nexhat Daci

Sot, më 2 janar, do të varroset në varrezat e Dragodanit, ish-kryeparlamentari Nexhat Daci.

Bazuar në njoftimin e familjes, nga ora 09:00-11:45 do të mbahen homazhe në hollin e Kuvendit të Kosovës, nga ora 12:00-12:45 mbahet Akademi Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa varrimi me nderime shtetërore do të organizohet nga ora 13:40-14:20.

Ky është njoftimi i plotë:

Ceremonitë mortore do të mbahen nesër, më 02.01.2026, sipas kësaj agjende zyrtare:

09:00 – 11:45

Homazhe – Holli i Kuvendit të Kosovës

12:00 – 12:45

Akademi Përkujtimore në Sallën Plenare të Kuvendit të Kosovës.

13:40 – 14:20

Varrimi me nderime shtetërore tek Varrezat në Dragodan:

Familja Daci falënderon të gjithë qytetarët, miqtë dhe dashamirët për ngushëllimet dhe respektin e treguar në këto momente zie.

E pamja do të mbahet nga data 03 deri më 05 janar, në Hotel Sirius, nga ora 10:00 – 17:00.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të.

Back to top button