Presidenti i KOK-ut pret nënkampionin e botës në karate

Nënkampioni i botës në karate, Islam Selmani, është pritur sot nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, në një takim ku u vlerësua suksesi i jashtëzakonshëm i karateistit 20-vjeçar. Selmani u shoqërua nga trajneri i tij Isak Curri dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës së Karatesë së Kosovës, Nazmi Gashi.
Selmani fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Kajro të Egjiptit, duke shënuar një debutim historik dhe një arritje të madhe për sportin e Kosovës. Presidenti Krasniqi e përgëzoi atë dhe trajnerin Curri, duke theksuar se ky sukses dëshmon potencialin e lartë të karateistëve kosovarë dhe duke shprehur besimin për suksese të tjera në të ardhmen.
Nga ana e tij, Selmani foli për sfidat e rrugëtimit drejt medaljes botërore dhe u shpreh mirënjohës për mbështetjen dhe mikpritjen. Ai theksoi se synimi i tij mbetet titulli i kampionit të botës, si dhe ëndrra për t’u bërë kampion olimpik, me shpresën që karateja të rikthehet sërish në programin olimpik.