Refuzohet propozimi i mbrojtjes për t’i dëgjuar nëntë dëshmitarë në rastin “Banjska”
(Lajm i përditësuar)
Refuzohet propozimi i mbrojtjes për t’i dëgjuar nëntë dëshmitarë në rastin “Banjska”
Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.
Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.
Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.
Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.
Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë./betimipërdrejtësi
Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor
Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.
Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.
Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.
Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.
Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.
Avokati Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq, jo në Milan Radoiçiqin.
Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.
Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.
Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.
Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.
“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.
Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.
Rasti në Banjskë, të akuzuarit dalin para gjykatores
Nën masa të larta të sigurisë u sjellë në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.
Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.
Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.
Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.
Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë.
Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin Banjska
Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do mbahet seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë.
Të akuazuarit që do të paraqiten në gjyq janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Po ashtu ata në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.
Aktakuza për këtë rast është ngritur më 11 shtator 2024 dhe ka të bëjë me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit dyshohet se, përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë, kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të Kosovës dhe ta bashkojnë atë me Serbinë.
Si pasojë e këtij sulmi, është vrarë zyrtari policor Afrim Bunjaku, janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të tjerë policorë dhe të popullatës civile.