Myftiu Tërnava dënon ashpër djegien dhe përdhosjen e Kuranit në Gjakovë

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kosovë, myftiu Naim Tërnava, shprehet i tmerruar dhe i tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë, i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur në Çabrat të Gjakovës.
Sipas tij, një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tonë.
Ai thekson se populli shqiptar, ndër shekuj, është njohur dhe identifikuar për harmoni, bashkëjetesë dhe mirëkuptim ndërfetar, si dhe për respektimin e besimit, kulturës dhe traditës së tjetrit, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhen me fenë dhe besimin.
“Jam thellësisht i tmerruar dhe i tronditur nga akti vandal dhe kriminal i djegies dhe përdhosjes së Kuranit të Shenjtë, i kryer me porosi dhe mision të qartë kriminal nga persona ende të panjohur në Çabrat të Gjakovës. Një veprim i tillë është plotësisht i papranueshëm, pasi cenon rëndë vlerat universale humane të qytetërimit botëror dhe, njëkohësisht, godet drejtpërdrejt parimet, traditën dhe identitetin e popullit tone”, thuhet në reagimin e myftiut Tërnava.
Myftiu Tërnava shprehet se, fatkeqësisht, këto vlera dhe parime janë vënë në shënjestër kohëve të fundit nga lëvizje të errëta që, në emër të një “shqiptarie” të deformuar dhe të ashtuquajturit “kthim në rrënjë”, po promovojnë urrejtje, përçarje dhe dhunë.
Sipas deklaratës, individë të caktuar dhe grupe të organizuara, duke manipuluar, shpifur dhe instrumentalizuar opinionin publik, po përhapin gjuhë urrejtjeje dhe po bëjnë thirrje të hapura për dhunë ndaj shqiptarëve të besimit mysliman, si dhe për zhdukjen e trashëgimisë dhe kulturës islame.
Ai paralajmëron se kjo propagandë e rrezikshme, në raste edhe tronditëse, është përkrahur madje edhe nga persona që mbahen dhe paguhen si profesorë universitarë, duke marrë shembuj dhe modele të errëta të gjenocidit grek dhe serb ndaj shqiptarëve myslimanë.
Myftiu Tërnava vlerëson se djegia dhe përdhosja e Kuranit në Gjakovë është një akt konkret dhe alarmues, si pasojë direkte e këtyre ideologjive antishqiptare dhe antiislame, të cilat, sipas tij, synojnë realizimin e projekteve dashakeqe sipas modeleve të huaja që historikisht kanë qenë armiqësore ndaj shqiptarëve të besimit islam.
Me këtë rast, ai kërkon nga organet kompetente shtetërore që të ndërmarrin menjëherë veprimet e nevojshme ligjore ndaj autorëve të këtij akti kriminal, por edhe ndaj ideatorëve, mentorëve dhe ideologëve të kësaj ideologjie të rrezikshme, të cilët, sipas tij, veprojnë duke u fshehur pas parullave të rreme të “fjalës së lirë”, “të drejtës së besimit” dhe një shqiptarie të deformuar sipas interesave të tyre.
Po ashtu, ai fton institucionet shtetërore që, edhe njëherë, të marrin masa adekuate dhe konkrete për të ruajtur kohezionin shoqëror, vlerat autentike të popullit tonë, harmoninë ndërfetare dhe interesin e përgjithshëm të qytetarëve dhe të trojeve tona.
Sot, është raportuar se në Çabrat të Gjakovës, persona të paidentifikuar dyshohet se kanë dëmtuar dhe djegur Kuranin.