Formimi i institucioneve peng i rinumërimit

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi bëri të ditur se në QNR po vazhdon rinumërimi i fletëvotimeve dhe se deri më tani KQZ ka rinumëruar rreth 74% të vendvotimeve.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e martë, 27 janar 2026, ora 10:00) janë rinumëruar rreth 74% apo 1,887 nga 2,557 vendvotime”, tha Elezi.

KQZ pret që deri më 31 janar të përmbyllë procesin e rinumërimit të të gjitha vendvotimeve të rregullta për t’i hapur rrugë shpalljes përfundimtare të rezultateve. Megjithatë, vendimi për rinumërimin e plotë të rezultateve pas gjetjeve të KQZ-së se pati manipulime të mëdha me vota ndërmjet kandidatëve për deputet dhe zërat se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme pa e materializuar rezultatin e 28 dhjetorit, si shkak i tejkalimeve të afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri ka ngjallur pakënaqësi ndër qytetarë

“Nuk është mirë me shku në zgjedhje prap…

“Dallavare gjithkund çka po bahet nuk e di”

“Kanë vjedh ja kan pa sherrin vet”

Nga gjetjet e KQZ-së u shpërfaq se asnjë nga subjektet politike nuk ishin imune ndaj manipulimeve me vota ndërmjet listave të kandidatëve për deputet. Megjithatë, vendimi për rinumërimin e plotë ka zvarritur procesin e certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe rrjedhimit formimit të institucioneve. Ndërkaq, afatet kohore për ankesa që rrjedhin deri në certifikim të rezultatit zgjedhor, rrezikojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja pa e materializuar rezultatin zgjedhor. Marrë parasysh faktin se Kosova më 5 mars duhet ta ketë një president të ri të zgjedhur. Në këtë kuptim, njohësja e rrethanave politike, Arta Tahiri, vlerëson se vendi nuk ka më kohë të humbasë. Në vlerësimin e saj asnjërës nga subjektet politike nuk do t’i konvenonin zgjedhjet e reja.

“Kosova pa vonesa duhet të formojë institucionet të zgjedhë presidentin apo presidenten dhe të vazhdojë përpara. Deri më tani vendi asnjëherë nuk ka shkuar në zgjedhje për shkak të presidentit…Edhe asnjërës nga subjektet politike nuk i konvenojnë zgjedhjet e reja…”, tha Tahiri.

Lidhur me çështjen e zgjedhjeve të reja, KQZ ka deklaruar se aktualisht është e fokusuar në përmbyllje sa më të shpejtë të procesit të rinumërimit, andaj në këtë fazë nuk ka diskutuar për zgjedhje të reja të mundshme. Kosova nisi vitin 2026 pa një buxhet të miratuar, dhe se pas një marsit nëse nuk ka një kuvend funksional për miratimin e tij, gjysma e qytetarëve të Kosovës rrezikojnë të mbesin pa paga, pensione dhe skema sociale. Ndërkohë, që në mungesë të Kuvendit një numër i marrëveshjeve ndërkombëtare vazhdojnë të mbesin në pritje për ratifikim duke shkaktuar kështu qindra miliona euro humbje për qytetarët./RTV21/21Media

Back to top button