Grainca: LDK nuk duhet të ketë votë për Osmanin

Ish-deputeti i LDK-së, Blerim Grainca, tha se deputetët e LDK-së nuk duhet të votojnë Vjosa Osmanin edhe për një mandat tjetër në postin e presidentes. Në një intervistë për RTV21, Grainca tha se zonja Osmani e ka shndërruar presidencën në zyrë të LVV-së.
“Një pjesë e madhe e deputetëve të LDK-së janë deklaruar se nuk e votojnë zonjën Osmani për shkak të dëmeve që ka shkaktuar dhe për shkak të faktit se e ka shndërruar institucionin e presidencës në një zyrë të LVV-së. Vota për zonjën Osmani ka qenë gabim dhe do të jetë gabim nëse votohet sërish. LDK-ja ka bërë gabime deri më tani në të bërit opozitë. Ka qenë gabim katastrofal votimi për nënkryetarin Nenad Rashiç. LDK-ja duhet ta rishikojë mënyrën e të bërit politikë. Unë nuk jam që të votohet zonja Osmani, sepse ajo ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme politike.”, u shpreh Grainca për RTV21.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjes së kryetarit të ri të LDK-së, ish-deputeti Grainca tha se kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk do të duhej të mbetej kryetar i këtij subjekti politik, pasi i ka humbur tri palë zgjedhje.
“Unë mendoj se zoti Abdixhiku nuk ka çka t’i ofrojë më LDK-së, sepse gjatë këtyre katër viteve ka qenë joaktiv në të bërit opozitë. Nesër duhet të ndryshohet lidershipi i LDK-së”./RTV21