Abdixhiku në Kuvendin e LDK-së: Pa e pasur shumicën në demokraci, fjala mbetet zhurmë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, po vazhdon fjalimin e tij në Kuvendin e LDK-së të thirrur për të shqyrtuar dorëheqjen e tij.
Abdixhiku ka thënë se në demokraci është thelbësore që ta kesh edhe shumicën.
Sipas tij, nëse nuk e ke shumicën, atëherë fjala mbetet vetëm zhurmë.
“Vendimi i shumicës nuk e shuan mendimin ndryshe”, ka deklaraur ai.
Abdixhiku tha se gjithmonë kryetari i LDK-së ka qenë i synuar për shkak të demokracisë së kësaj partie.
“Të jesh subjekt konstant i diskutimit publik je edhe tabelë qitje. Dhe në këtë tabelë qitje, më shumë se gjithçka tjetër do të synohet natyrisht lidershipi. Sepse në LDK-në demokratike, si në asnjë parti tjetër, pika më e ndryshueshme, nuk është programi, nuk është orientimi, nuk janë vlerat, por është prijësi. Prijësi në LDK është i ndryshueshëm, prandaj LDK-së gjithmonë i goditet fillimisht prijësi. Sepse kur e godet prijësin e vë gjithë partinë në mbrojtje. Dhe kur një parti ndërrohet vazhdimisht ajo nuk ndërton më, ajo vetëm përpiqet të mbijetojë. Gjatë pesë vjetëve të fundit dhe jo vetëm, edhe për të tjerët para meje, kryetari i LDK-së është goditur pa hezitim, jo sepse ka qenë i lig, jo pse ka qeverisur keq apo ka bërë ndonjë problem të madh kombëtar, por sepse është kryetari i LDK-së i goditshëm, i ndryshueshëm, i ekspozuar”, deklaroi ai.
Abdixhiku u shpreh se problemi s’ka qenë me të.
“Ta bëjmë të qartë, problemi s’ka qenë dhe nuk është me mua si Lumir, të jeni të sigurt se në momentin që nuk jam kryetar i LDK-së do të jem i njëjti njeri me të njëjtin integritet e pastërti profesionale e personale. Problemi gjithmonë ka qenë me kryetarin e LDK-së dhe rrjedhimisht me secilin prej jush. Me secilin prej jush që merr përgjegjësi në këtë shtëpi”.
Sipas Abdixhikut, ata që nuk respektojnë vullnetin e shumicës, ndoshta s’duhet të kenë vend në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Kush nuk respekton vullnetin e një shumicë, fundja ndoshta s’duhet të jetë pjesë e kësaj familje. Nuk mund t’ia marrësh të mirat e partisë e të mos japësh kontribut në anën tjetër”, ka thënë Abdixhiku.