Abdixhiku: LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm

Në vazhdim të fjalimit të tij para delegatëve të partisë, Lumir Abdixhiku tha se LDK-së i ka munguar solidariteti i brendshëm.
Nga ky Kuvend, ai tha se duhet të bëhet thirrje për rregullim të brendshëm.
“Si është e mundur që LDK të fitojë bindshëm në zgjedhjet lokale, e në zgjedhjet nacionale të reduktohet aq shumë. A është faji te prijësi, ekipi apo te mesazhi. Nga ky Kuvend duhet të bëjmë thirrje për rregullim të brendshëm”, ka thënë ai.
“Po, demokracia e ka fjalën e lirë dhe pa të ajo nuk ekziston. Vendimi i shumicës nuk e shuan mendimin ndryshe, por e mbyll procesin. LDK është grup politik për idealin, nuk prodhon interes por solidaritet, jo zhurmë por dinjitet. Kjo ka qenë forca jonë dhe kështu do të mbetet gjithherë. LDK ka qenë gjithmonë historikisht me standarde të larta. LDK-së i duhet edhe ndryshimi, por edhe përvoja e jashtëzakonshme e njerëzve tanë”, tha ai ndër të tjera.