Nis festimi i ditëlindjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeu në Bronx

Sot, në Bronx të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u mbajt një manifestim i veçantë në nderim të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në rrugën që mban me krenari emrin e tij.

Ky aktivitet në prag të ditëlindjes së heroit kombëtar Skënderbeu, i organizuar nga Mark Gjonaj, mblodhi komunitetin shqiptar dhe miqtë e tij për të kujtuar dhe nderuar figurën e Skënderbeut, simbol i qëndresës, unitetit dhe identitetit kombëtar.

skenderbeu 2

Ky manifestim shërben si një dëshmi e gjallë e ruajtjes së traditës dhe historisë sonë, duke forcuar lidhjet e komunitetit shqiptar në diasporë dhe duke përcjellë vlerat tona brez pas brezi.

Gjithashtu nga Organizata “Shqiptaria” kanë bërë të ditur se më 6 maj, në Prishtinë, do të organizojë, në bashkëpunim me partnerët e saj, një manifestim me rastin e ditëlindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë delegacione arbëreshe nga Italia, përfaqësues të komunave arbëreshe ku përfshihen grupe nga Kalabria dhe San Marzano, i njohur si “Katundi i Ni Zemra” si dhe pasardhësi I familjes Kastrioti – Loris Castriota.

Po ashtu, pjesë e manifestimit do të jenë përfaqësues të komunave arbëreshe nga Piana degli Albanesi, Ururi, San Marzano di San Giuseppe dhe Chieuti.

Organizatorët, sipas një njoftimi që kanë bërë në rrjete sociale, theksojnë se ardhja e këtyre delegacioneve “është dëshmi e gjallë se fryma arbërore dhe trashëgimia e Gjergj Kastrioti Skënderbeut vazhdojnë të jetojnë fuqishëm ndër breza”.

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu u lind më 6 maj 1405, në familjen fisnike të Gjon Kastriotit, nga Dibra.

Si fëmijë ai u mor peng nga sulltan Murati dhe luftoi për Perandorinë Otomane si gjeneral deri në vitin 1443, kur u rikthye në Krujë. Në vit më vonë, ai mblodhi të gjithë princërit shqiptarë në Lidhjen e Lezhës, ku u vendos unanimisht të luftohej për marrjen në zotërim të trojeve shqiptare kundër perandorisë otomane.

Në krye të ushtrisë shqiptare, pas triumfit të parë në betejën e Torviollit, Skënderbeu do të korrte 22 fitore të mëdha kundër Perandorisë Osmane.

skenderbeu 3

Back to top button