Avokati i Popullit ia shpreh shqetësimet për Specialen sekretarit amerikan Rubio

Avokati i Popullit, Naim Qelaj i ka dërguar letër sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Marco Rubio, ku ka përcjellë raportin për funksionimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Kështu bëhet e ditur në komunikatën e këtij institucioni, ku mes tjerash thuhet se kjo letër u është dërguar shteteve financuese të Speciales, dhe se është përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike.

“Kjo letër, e përcjellë nëpërmjet kanaleve diplomatike, i është dërguar Sekretarit të Shtetit të ShBA-së, z. Marco Rubio, si dhe Departamentit të Drejtësisë së ShBA-së. Letra informuese u është dërguar ministrave të punëve të jashtme të Zvicrës, Norvegjisë, Turqisë dhe Kanadasë. Raporti u është dërguar znj. Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, Përfaqësuese e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e BE-së, znj. Roberta Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian, znj. Despina Chatzivassiliou-Tsovilis, Sekretare e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, z. Alain Berset, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, dhe z. Michael O’Flaherty, Komisionar për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Evropës”, thuhet në njoftimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.

Në këtë letër, Avokati i Popullit ka shprehur shqetësimet, sic thuhet, edhe për garancitë për një gjykim të drejtë gjatë procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës të identifikuara nga organizata “Bar Human Rights Committee of England and Ëales” (BHRC) – Komiteti i Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit.

Raporti preliminar i ekspërtëve britanikë është prezantuar javën e kaluar nga Avokati i Popullit, Naim Qelaj.

“Raporti në fjalë ka identifikuar shqetësime serioze lidhur me mbrojtjen e garancive themelore procedurale që u ofrohen të akuzuarve, e në veçanti, me të drejtën për një gjykim të drejtë, transparent dhe të paanshëm. Këto parime përbëjnë garanci themelore në kuadër të së drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe të drejtësisë penale ndërkombëtare. Në këtë letër u nënvizua se e drejta për një gjykim të drejtë është e përcaktuar në nenin 14 të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike dhe në nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të dyja të zbatueshme drejtpërdrejt në rendin juridik të Kosovës nëpërmjet Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj ditë më parë ka prezantuar raportin preliminar të organizatës “Bar Human Rights Committee of England and Ëales” lidhur me funksionimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Shqetësime serioze ka konstatuar ky raport, i cili është dokument voluminoz i prezantuar nga Naim Qelaj, ku mes tjerash konstaton se mandati i Speciales ka pasur devijim nga qëllimi fillestar.

Më pas pas, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë deklaruar se vetëm institucioni i Avokatit të Popullit i Dhomave të Specializuara ka mandat për proceset në këtë gjykatë dhe jo institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.

Pas kësaj, edhe Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së sërish ngre zërin kundër shkeljeve në gjykimin e ish-drejtuesve të UÇK-së në Hagë, kësaj here duke iu referuar edhe raportit të një organizate britanike për të drejtat e njeriut, e cila shfaqi shqetësim për shkelje të të drejtave themelore në kuadër të Dhomave të Specializura.

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK-së, ky raport përbën një konfirmim të qartë se alarmet tona kanë qenë të drejta dhe të argumentuara.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button