Kaloni te përmbajtja kryesore

“Nëna e hodhi në mbeturina”, spitali jep detaje të reja për rastin e foshnjës në Ferizaj

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt ka dhënë detaje për rastin me vdekjen e foshnjës së porsalindur, duke bërë të ditur se fillimisht nëna kishte paraqitur ankesa për kapsllëk e më pas ishte futur në tualet ku dhe kishte mbyllur derën.

Në njoftim thuhet se stafi mjekësor kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dhe kanë hapur derën duke parë më pas që nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave.

“Pacientja është paraqitur në spital me ankesa për obstipacion (kapsllëk) dhe, në një moment, ka hyrë në tualet duke e mbyllur derën. Pas insistimit dhe presionit nga stafi mjekësor, të cilët kishin dëgjuar zërin e një foshnjeje, dera është hapur. Nëna kishte prerë kordonin umbilikal të foshnjës dhe e kishte hedhur atë në koshin e mbeturinave, në gjendje të rëndë dhe hipotermike. Menjëherë janë ndërmarrë masat emergjente për trajtimin e nënës dhe foshnjës, të cilat janë transferuar në repartet e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë. Ekipi multidisiplinar, me përfshirjen edhe të anesteziologut, ka filluar menjëherë të gjitha procedurat reanimatore”, thuhet në njoftim.

Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale nuk ka mbijetuar.

Sapo është konstatuar rasti, stafi shëndetësor ka njoftuar organet kompetente, përkatësisht Policinë e Kosovës. Foshnja është pranuar në gjendje shumë të rëndë shëndetësore dhe janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme reanimatore nga ekipi multidisiplinar i spitalit.

“Lidhur me rastin, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria, të cilat kanë iniciuar hetimet. Në procedurë janë përfshirë edhe inspektorët shëndetësorë dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i foshnjës është dërguar për obduksion në Instituti i Mjekësisë Ligjore, në kuadër të procedurave të mëtejshme hetimore. Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt është duke bashkëpunuar plotësisht me organet e drejtësisë dhe institucionet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. Për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve dhe respektimit të privatësisë së palëve të përfshira, për momentin nuk mund të ofrohen detaje shtesë”, thuhet në njoftimin e spitalit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button