Kaloni te përmbajtja kryesore

​Mashtrim me kriptovaluta në Ferizaj, Prokuroria kërkon paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet V.N., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”.

Sipas Prokurorisë, kërkesa lidhet me rastin e datës 29 prill 2026, kur fillimisht ishin ndaluar dy persona të dyshuar, A.L. dhe R.J., ndërsa V.N., i dyshuar si pjesë e skemës, kishte arritur të arratisej nga vendi i ngjarjes.

Prokuroria bën të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se më 17 prill 2026, rreth orës 19:00, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, i pandehuri së bashku me dy të dyshuarit tjerë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kishin mashtruar disa persona duke u prezantuar rrejshëm si posedues të kriptovalutës USDT.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kishin siguruar një lokal me qira ku kishin organizuar takimin me të dëmtuarit E.F., A.F. dhe Rr.K., duke u premtuar transferim të kriptovalutave përmes një portofoli digjital “wallet”. Në këtë mënyrë, ata dyshohet se u kanë marrë viktimave shumën prej 12 mijë eurosh dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur.

Pas veprimeve operative, organet e rendit kanë zbuluar se të dyshuarit dyshohej se planifikonin të realizonin të njëjtën skemë edhe në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik.

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohet se kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I pandehuri V.N. që nga 7 maji 2026 ndodhet nën masën e ndalimit 48-orësh me vendim të Prokurorit të Shtetit.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button