Kaloni te përmbajtja kryesore

Përparim Rama: Siguria në çdo vendpunishte duhet të respektohet

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas aksidentit tragjik në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku një punëtor ka vdekur dhe një tjetër ka mbetur i lënduar.

Rama ka shprehur ngushëllime për familjen e viktimës, ndërsa të lënduarit i ka uruar shërim të shpejtë.

“Me pikëllim të thellë mora lajmin për humbjen tragjike të jetës së një punëtori në aksidentin e sotëm në një vendpunishte ndërtimore në rrugën ‘Holger Petersen’. Në emrin tim dhe të Kryeqytetit, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, ndërsa të lënduarit i uroj shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka falënderuar ekipet emergjente për reagimin gjatë ndërhyrjes në vendin e ngjarjes.

“Falënderoj Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Policinë e Kosovës, ekipet e Urgjencës Mjekësore, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, si dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca për reagimin e menjëhershëm dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje të vështirë”, ka deklaruar ai.

Rama ka bërë të ditur se rrethanat e aksidentit po hetohen nga organet kompetente, ndërsa ka theksuar se respektimi i standardeve të sigurisë në punë është përgjegjësi e institucioneve përkatëse.

“Çështjet që kanë të bëjnë me respektimin e standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë janë në kompetencë të Inspektoratit të Punës dhe institucioneve përgjegjëse, të cilat presim ta zbardhin plotësisht këtë rast”, ka thënë ai.

Sipas Ramës, humbja e një jete në vendin e punës është një kujtesë se siguria e punëtorëve duhet të jetë prioritet.

“Humbja e një jete në vendin e punës është një tragjedi që duhet të na rikujtojë të gjithëve se siguria në punë duhet të jetë prioritet i panegociueshëm dhe standard që respektohet në çdo vendpunishte”, ka përfunduar kryetari i Prishtinës.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button