Kaloni te përmbajtja kryesore

Ismail Dibrani: Në prill të vitit 2027 pritet të vijnë 300 të burgosur nga Danimarka

Ismail Dibrani, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka treguar se në prill të vitit 2027 pritet të vijnë të burgosurit e parë nga Danimarka, nëse gjithçka shkon sipas marrëveshjes dhe planit.

Drejtori Dibrani gjithashtu tha se Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk rekomandon marrëveshje të tilla si kjo me shtetin danez ku të burgosurit e Danimarkës do të transferohen në burgun e Gjilanit.

“Mbetet në mandatin e kabinetit dhe institucioneve të tjera për të trajtuar secilën kërkesë që vije nga shtetet e ndryshme. Ka kërkesa nga shumë shtete të Evropës, por natyrisht që rekomandimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës do të jetë që nuk është interes i Shërbimit Korrektues e as i vendit që të lidhet asnjë marrëveshje e re në këtë drejtim. Por, natyrisht sa i përket marrëveshjes me shtetin e Danimarkës është marrëveshje që ka nisur shumë vite më herët, pra kanë kaluar disa qeveri që kanë vazhduar këto negociata. Tek në korrik të vitit 2025 ka përfunduar dakordimi në mes shtetit danez sa i përket asaj se çfarë duhet të ketë në burgun e Gjilanit”, është shprehur Dibrani.

Sipas tij, me ardhjen e të burgosurve të Danimarkës në Gjilan, duhet të zbatohet rendi shtëpiak danez në atë qendër korrektuese.

“Derisa po flasim, atje është qendër e paraburgimit dhe do të shndërrohet në një qendër korrektuese dhe si rezultat i kësaj, duhet përshtatur me rregullat dhe rendin shtëpiak danez sepse në Gjilan do të zbatohet rendi shtëpiak danez pavarësisht se atje do të jetë një bashkëqeverisje sepse guvernatori do të jetë danez dhe drejtori do të jetë shqiptar, stafi i uniformuar korrektues do të jetë kosovar- kështu që e gjithë kjo procedurë është sipas kërkesave daneze. Do të ndërtohen punëtoritë për të mundësuar të burgosurve që të punësohen atje, po ashtu do të rinovohet burgu dhe po shpresojmë që prilli 2027 do të jetë muaji kur do të pranohen të burgosurit e parë në Gjilan, në rast se veçse shkon sipas parashikimeve dhe planeve që i kemi hartuar bashkërisht…”, ka thënë Dibrani.

Gjithashtu, Dibrani tregoi se rreth 300 të burgosur do të vijnë në Kosovë nga Danimarka dhe meqë ky shtet ka një ndër sistemet më të mira korrektuese në botë, pret që praktikat e tyre të mira të zbatohen edhe në Kosovë.

“300 të burgosur pritet të vijnë në Kosovë, por siç e dini shteti danez, siç e dini, njihet që ka një prej sistemeve më të avancuara të burgjeve. Po shpresoj nga kjo marrëveshje edhe veçse kanë filluar trajnimet e para, praktikat më të mira të sistemit danez t’i implementojmë në burgjet tona”, theksoi Dibrani.

Tutje, Dibrani njoftoi se Kosova mbetet shteti i vetëm i anëtarësuar në Rrjetin Evropian të Burgjeve përkundër se s’është shtet anëtar në Këshillin e Evropës.

“Jemi shteti i vetëm i anëtarësuar në Rrjetin Evropian të Burgjeve, pa qenë Kosova anëtare e Këshillit të Evropës edhe pse kriteri kryesor është që një shtet për të qenë anëtar i Rrjetit Evropian i Burgjeve është që të jetë vendi anëtar i Këshillit të Evropës. Tash jemi në nivel të barabartë me të gjitha shtetet”, përfundoi Dibrani.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button