Kaloni te përmbajtja kryesore

​Gucati e Nuredin Lushtaku vizitojnë Samiun në komunë: Mehanin e rreh kur t’i teket, por s’e ka prekur me dorë

Incidenti në Skenderaj, në të cilin ishin të përfshirë kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku dhe zëvendësministri i Financave, Hysni Mehani, i çoi policinë dhe forenzikën në një prej kafiterive në qendër të kësaj komune.

Nga kafiteria ku ndodhi incidenti, KosovaPressit iu tha se policia i ka marrë pamjet e kamerave, ndërsa për vizitë në objektin e komunës te Lushtaku ishte kryetari i OVL-së së UÇK-së, Hysni Gucati.

Në një prononcim për KosovaPress, Gucati tha se Lushtaku është provokuar shumë nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje duke e quajtur “Sami Serbia”.

“Nuk është mirë çka ka ndodhur për arsye se e kanë provokuar shumë kryetarin. Sa provokimet ‘Sami Serbia’, , ‘Sami spiuni’, është turp t’i thuhet një njeriu që tërë jetën ia ka kushtuar vendit, çështjes kombëtare, çlirimit të vendit e sot të dilet e të fyhet, ky është turp i madh. Samiu është Sami, një njeri që nuk mund t’i duroj fyerjet. Ai djali ka fyer shumë dhe duhet t’i themi stop të keqes”, tha Gucati për KosovaPress.

Për vizitë, Sami Lushtakut i shkoi edhe ish-nënkryetari i kësaj komune, Nuredin Lushtaku, i cili për KosovaPress tha se incidentet ndodhin kur i fyen njerëzit dhe se sipas tij, atëherë qytetarët s’e lejojnë një gjë të tillë.

“Nuk është e lehtë t’i thuash dikujt Serbi, ose një njeriu që ka sakrifikuar çdo gjë për lirinë e vendit e turli njeriu i kafeve t’i shajë çlirimtarët dhe t’i thuhet ‘Sami Serbia’, atëherë qytetarët s’e lejojnë këtë punë. Unë e kam marrë vesh se atij incidenti i ka ndodhur me qytetarë në kafe, diçka më tepër nuk di”, tha ai.

Tutje, Nuredin Lushtaku tha se Sami Lushtaku kur t’i teket e zë dhe e rreh, siç tha ai, shuplaka gojës Mehanin.

“Sami Lushtakut normal që i vjen keq për çka ka ndodhur, sepse nuk është Sami Lushtaku të rrehet me Mehanin ose tjetrin, nuk është kategori e Samisë që të rrihet kafeneve. Nuk besoj që Sami Lushtaku e ka prekur me dorë Mehanin. Kur të donë, Sami Lushtaku e zë e rreh Mehanin, nëse do ta rrahë. Kur t’i teket e zë e rreh shuplaka gojës dhe ka mundur ta rrahë moti dhe nuk e besoj që e ka prekur me dorë Sami Lushtaku”, tha ai,

Zëvendësministri Mehana aktualisht gjendet i shtrirë në Spitalin e Mitrovicës, teksa Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës publikoi një fotografi të tij, ku shihej me lëndime në fytyrë. Për incidentin ka reaguar edhe vetë Lushtaku, i cili në “Facebook” shkroi se etiketat s’i “Sami Serbia”, qytetarët s’i tolerojnë më, prandaj edhe reaguan.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button