SHSKUK konfirmon tarifën prej 3 euro për familjarët e pacientëve në QKUK

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka dalë me reagim lidhur me pagesën prej 3 euro për 24 orë qëndrim të familjarëve përcjellës të pacientëve të shtrirë në QKUK.
SHSKUK ka konfirmuar ekzistimin e kësaj tarife, duke thënë se ky vendim buron nga Udhëzimi Administrativ për bashkëpagesat për shërbimet shëndetësore.
Në reagim theksohet se kjo tarifë ka qenë më herët 5 euro, por se me këtyë udhëzim është ulur në 3 euro.
“Për më tepër, si rezultat i Udhëzimit të ri Administrativ për bashkëpagesa, shumë shërbime shëndetësore ofrohen me kosto mbi dhjetëfish më të ulët krahasuar me Udhëzimin Administrativ paraprak. Kjo bashkëpagesë nuk aplikohet për pacientin, por lidhet me shfrytëzimin e hapësirave dhe resurseve spitalore nga persona që nuk janë pacientë”, theksohet në njoftim.
Në njoftim theksohet se përjashtim nga kjo bashkëpagesë bëjnë Klinika e Onkologjisë dhe klinikat ku trajtohen pacientë me sëmundje malinje, pavarësisht nëse pacientët janë të hospitalizuar edhe në klinika të tjera brenda QKUK-së.
“Sa i përket pacientëve me sëmundje kronike, menaxhmenti i QKUK-së është duke zhvilluar diskutime të brendshme dhe ndërinstitucionale lidhur me trajtimin e bashkëpagesave për këtë kategori, me synim adresimin e nevojave specifike të tyre.
Është e rëndësishme të sqarohet se roli i personit shoqërues është mbështetës dhe emocional. Kujdesi shëndetësor mbetet përgjegjësi e stafit profesional. Çdo pretendim për mangësi në ofrimin e shërbimeve duhet të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë dhe jo të përgjithësohet”, thuhet në njoftim.
Shoqata për të Drejtat e Pacientëve në Kosovë u ka bërë thirrje institucioneve që të heqin këtë tarifë dhe të shtojnë kapacitetet brenda spitalore për të përmbushur nevojat e pacientëve.