Kurti flet për dërgimin e FSK në Gaza, e krahason situatën me Kosovën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për dërgimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gaza si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Ai ka deklaruar se Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i Forca e Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, mandartin e kaluar i kanë kërkuar leje për të marrë pjesë në një konferencë në Doha të Katarit, lidhur me krijimin e një Force Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Sipas Kurtit, Kosova tashmë ka ndarë gjysmë milioni euro ndihmë humanitare për Gazën dhe ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar edhe me kapacitete të FSK-së, veçanërisht në fushën e kërkim-shpëtimit dhe deminimit.

“FSK, për shkak të aftësive të saj të shquara ndërkombëtarisht në kërkim-shpëtim dhe deminim, ka qenë e gatshme të marrë pjesë në këtë forcë ndërkombëtare stabilizuese dhe ta ndihmojë popullin e Gazës. Ne kemi qenë përfitues të forcave ndërkombëtare në vitin 1999, prandaj tash dëshirojmë edhe ne të kontribuojmë”, ka thënë Kurti.

Ai theksoi se forca stabilizuese për Gazën nuk do të ketë vetëm komponentë ushtarake, por edhe një dimension politik, ndërsa aktualisht janë duke u diskutuar elementet konkrete të organizimit dhe funksionimit të saj.

“Nëse do ta thjeshtonim këtë situatë duke u kthyer në vitin 1999, përveç KFOR-it ka qenë edhe UNMIK-u. Ka një lloj ngjashmërie edhe tani për Gazën. Nëse dërgon ushtarë, dëshiron të jesh pjesëmarrës edhe në vendimmarrjen politike”, është shprehur kryeministri.

Megjithatë, ai theksoi se detajet dhe hollësitë konkrete po trajtohen kryesisht nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes, ndërsa vendimet do të merren në koordinim institucional.

Back to top button