Enver Hasani tha se nuk u ftua për t’i paraqitur provat, Prokuroria autorizon hetime mbi vërtetësinë e diplomës së Pukës

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të nis hetime lidhur me deklaratat e ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, lidhur me pretendimet e tij ndaj Dekanit të Fakultetit Juridik, Avni Puka, lidhur me doktoratën e këtij të fundit në Itali dhe doktoratën në UP.
Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se Hasani ka pretenduar “se posedon dëshmi lidhur me çështjen e denoncuar nga ana e tij, krejt kjo në drejtim të zbulimit të veprimeve inkriminuese të personit apo personave të dyshuar lidhur me këtë çështje, si dhe sigurimit të informatave dhe provave shtesë, me qëllim të zbardhjes së tërësishme të rastit”.
“Prokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar që çdo çështje që i vihet përpara ta trajtoj me profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me legjislacionin e zbatueshëm të Republikës së Kosovës, me qëllim që për çdo rast të hetohet në tërësi dhe arritjes së drejtësisë për të gjitha palët e përfshira”, thuhet në njoftim.
Hasani mbrëmë ka deklaruar se nuk është ftuar nga Prokuroria për të paraqitur provat lidhur me pretendimet e tij.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2025 ka marrë vendim për mbylljen e rastit ndaj dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Hasani, më 19 qershor 2023, përmes e-mailit, kishte paraqitur dyshimet e tij tek Prokuroria se Puka ka kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323 të Kodit Penal dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal. Sipas Hasanit, dekani Puka ka gënjyer se ka kryer doktoratën në Fakultetin Juridik në Universitetin “La Sapienza”, në Romë të Italisë, dhe se temën e doktoratës të kryer në UP, e ka plagjiat.