Manipuluesit e votave s’(do) jenë pjesë e zgjedhjeve?

Përderisa dita e zgjedhjeve të qershorit po afrohet, KQZ-ja nuk ka bërë ende të ditur nëse komisionerët e dyshuar për manipulim votash në zgjedhjet e dhjetorit do të jenë pjesë ose jo edhe e këtyre zgjedhjeve.
Ndonëse në mbledhjen e sotme të KQZ-së ishte paraparë “Shqyrtimi dhe miratimi i anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit” kjo pikë para mbledhjes u hoq nga rendi i ditës duke u shtyrë për një ditë tjetër.
I pyetur nga RTV21 për këtë çështje dhe për përfshirjen ose jo të komisionerëve të dyshim për manipulim votash në zgjedhjet e qershorit, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi nuk dha ndonjë përgjigje duke thënë se nuk janë në konferencë për media.
Në Institutin Demokratik të Kosovës thonë se KQZ-ja po përdorë standardet të dyfishta duke mos qartësuar çështjen e komisonerëve të dyshuar për manipulim votash derisa në anën tjetër, siç thonë, ka ashpërsuar kriteret për akreditim të vëzhguesve.
Vullnet Bugaqku thotë se komisionerët e dyshuar për manipulim votash nuk duhet të jenë pjesë e zgjedhjeve të qershorit.
“pjesëmarrja e tyre do ta legjitimonte çfarëdo manipulimi që ka ndodhur në të kaluarën ..”, tha Bugaqku pë rtv21
Se komisionerët e dyshuar për manipulim votash nuk duhet të përfshihen në zgjedhjet e reja e thotë edhe avokati Ardian Bajraktari, por sipas tij, vendimi për këtë nuk i takon KQZ-së.
“Kategorive të tilla të përfshira në procese të tilla për sa kohë janë të dyshuar do të ndikonte tejmase në ruajtjen e kredibilitetit zgjedhor që t’u ndalohet pjesëmarrja…..”, u shpreh Bajraktari për rtv21
Në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, procesi përfundoi në rinumërim total pas dyshimeve për devijim të vullnetit qytetar në mijëra raste.
Për manipulime të dyshuara të votave, mbi 100 komisionerë në gjithë vendin përfunduan nën hetim dhe arrestim. Ditë më parë koordinatorja nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula ka thënë për rtv21 se numri i këtyre komisionerëve është shumë i madh teksa ka paralajmëruar ngritje të aktakuzave në bazë rezultatit të hetimeve./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?