Kaloni te përmbajtja kryesore

Kosova votoi: VV e para, opozita “forcohet”! 🗳



Numërimi drejt fundit, ky është rezultati nga 95% e votave të numëruara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar rezultatet nga 95% e votave të numëruara.

VV prin me 43.43%, PDK renditet e dyta me 21.36%, LDK e treta me 17.86% dhe AAK e pesta me 7.13%.

Këto janë të dhënat nga vendvotimet e rregullta, ku nuk përfshihen vendvotimet me kusht, votimi i personave me nevoja të veçanta dhe votimi jashtë Kosovës.


Canaj: Që nga viti 2021, vetëm AAK-ja ka shënuar rritje

Në emisionin Click në RTV21, analisti politik Blerim Canaj tha se, bazuar në rezultatet zgjedhore ndër vite, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) është subjekti i vetëm politik që po shfaq trend të qartë rritës.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje ka pasur luhatje në mbështetjen elektorale që nga zgjedhjet e vitit 2021, ndërsa PDK dhe LDK kanë mbetur pothuajse në të njëjtat nivele.

“Prej vitit 2021, LVV herë është rritur e herë është zbritur. PDK mbetet aty, LDK po ashtu. Nuk po shoh ndonjë dallim të madh. E vetmja parti që po e shoh se është rritur është AAK-ja”, deklaroi Canaj.

 

 


Rezultatet preliminare priten rreth orës 22:00

Nga votat e numëruara deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41,24%

Deri më tash janë procesuar 489 vendvotime nga 2.498 gjithsej.

PDK-ja është e dyta me 21,93%, pas saj është LDK-ja me 18.00% dhe AAK-ja me 9.81%.


Kasapolli: Humbësja më e madhe është Vjosa Osmani

Në emisionin Click në RTV21, analisti politik Gëzim Kasapolli komentoi rezultatin e zgjedhjeve, duke vlerësuar se qytetarët po kërkojnë më shumë normalitet në skenën politike.

Sipas tij, votuesit kanë dhënë sinjale të qarta se vendi ka nevojë për një qasje më të moderuar dhe për politika që ofrojnë stabilitet.

“Ky popull ka nevojë për një parti normale, për normalitet”, tha Kasapolli.

Duke folur për ndikimin e presidentes Vjosa Osmani në rezultatin zgjedhor, ai u shpreh kritik, duke vlerësuar se mbështetja e saj nuk ka prodhuar efektin e pritur elektoral.

“Humbësja më e madhe është Vjosa Osmani. Nuk ka mujt ma shumë se 35 mijë vota me ia sjell partisë”, deklaroi Kasapolli në Click të RTV21.

 


KQZ-ja nis publikimin e rezultateve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nisi publikimin e rezultateve në ueb-faqen e tij zyrtare.

Me 173 vendvotime të procesuara, nga 2.498, Lëvizja Vetëvendosje prin me 36.22 për qind.

Pas saj renditen Partia Demokratike e Kosovës me 21.84%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 16.26% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 10.08%.

Për më shumë, klikoni këtu.



“Koha për diçka të re”, Rexhaj: Dalja në votime duhet t’i shqetësoj partitë

Në emisionin Click në RTV21, analisti Shkodran Rexhaj deklaroi se rezultatet e daljes në votime duhet të jenë një sinjal alarmi për subjektet politike në vend.

Sipas tij, pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhje tregon pakënaqësi dhe mungesë besimi ndaj ofertës aktuale politike, duke shtuar se skena politike ka nevojë për qasje dhe alternativa të reja.

“Është koha për diçka të re në politikën tonë. Duhet t’i shqetësojë partitë politike rezultati i daljes në votime”, tha Rexhaj në RTV21.

Ai vlerësoi se partitë duhet të reflektojnë mbi arsyet që po i largojnë qytetarët nga procesi zgjedhor.


KQZ: Procesi i votimit përfundoi pa incidente, rezultatet dalin sonte

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi, njoftoi se procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00 dhe se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë të qetë dhe pa incidente.

Në konferencën për media pas mbylljes së vendvotimeve, Radoniqi falënderoi institucionet që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“Procesi i votimit ka përfunduar në orën 19:00. Procesi zgjedhor është zhvilluar në rregull, pa incidente. Në emër të KQZ-së falënderojmë Policinë e Kosovës, Prokurorinë dhe KEDS-in për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre”, tha Radoniqi.

Ai bëri të ditur se sipas të dhënave preliminare, pjesëmarrja në votime ka qenë 36.33 për qind.

“Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar është 36.33 për qind”, deklaroi Radoniqi.

KQZ pritet të publikojë gjatë orëve në vijim të dhëna të tjera lidhur me procesin zgjedhor dhe rezultatet preliminare.

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button