Deklarata e Rashiqit, Hoti: Kurti hi syve qytetarëve, vendime për hatër në prapaskenë

Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas deklaratës së ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, lidhur me transferimin e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit. Rashiq ka thënë se Kurti këtë e kishte bërë për shkak të tij.

Pas kësaj, Hoti përmes një postimi në Facebook ka thënë se deklarata e Rashiqit “e zhvesh plotësisht” Kurtin nga, siç e quajti ai, retorika mashtruese që ka përdorur për këtë çështje.

“Për vite u fol për “tradhti” dhe “falje të tokës për manastirin”. Sot, ministri i tij e thotë hapur se vendimi për faljen e tokës së manastirit ishte shumë i thjeshtë: “Do ta bëjmë, por ta dish – për shkakun tënd.” Pra, ajo që dikur ishte tradhti, kur u bë vetë Kryeministër u bë lehtësisht për hatër”, shkroi Hoti.

“Kaq “serioze” është vendimmarrja shtetërore e Kurtit. Hi syve për qytetarët, ndërsa vendime të kundërta e për hatër në prapaskenë”, shtoi ai.

Back to top button