OVL e UÇK-së për deklaratat e Rashiqit: Tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti

Organizata e Vetëranëve të Luftë së UÇK-së ka reaguar pas deklaratave të ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, se kryeministri Albin Kurti i fali 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit, hatri i tij.
“Deklaratat e një ministri se kryeministri i Kosovës i ka falur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit “për hatër të tij”, tregojnë fytyrën e vërtetë të këtij pushteti, ideologjinë e tyre antikombëtare dhe orientimin e tyre kundër interesave të qytetarëve të Kosovës. Duke ndjekur këto zhvillime të padëgjuara më parë, Kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së shprehin kundërshtim të ashpër ndaj lojërave me pronën dhe territorin e Kosovës, që ky pushtet po i bën në shërbim të kapriçove dhe favoreve personale”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së në Facebook.
Gjithashtu në reagim thuhet se çdo tentativë për ta relativizuar këtë skandal, e ofendon sakrificën e popullit dhe të rënëve për liri.