Kaloni te përmbajtja kryesore

MASHTI: Më pak se 50 për qind e nxënësve e kaluan Testin e Arritshmërisë

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka bërë të ditur se është përmbyllur procesi i përpunimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë për vitin 2026, në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 21,982 nxënës në nivel vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, arritshmëria mesatare e përgjithshme në këtë test është 48.35 për qind.

“Procesi i përpunimit të rezultateve të Testit të Arritshmërisë 2026 është përmbyllur. Në test kanë marrë pjesë 21,982 nxënës, ndërsa arritshmëria mesatare në nivel vendi është 48.35%,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

Analiza e rezultateve sipas lëndëve tregon dallime të dukshme në nivelin e përvetësimit të njohurive nga nxënësit. Arritshmëria më e lartë është regjistruar në Gjuhën angleze me 65.97 për qind, në Histori me 62.23 për qind dhe në Gjuhën shqipe me 54.63 për qind.

Ndërkohë, rezultatet më të ulëta janë shënuar në Kimi me 37.68 për qind dhe Matematikë me 37.93 për qind. Më pas renditen Biologjia me 40.83 për qind, Fizika me 45.33 për qind, Informatika me 47.87 për qind dhe Gjeografia me 47.84 për qind.

Ministria thekson se këto rezultate ofrojnë një pasqyrë të qartë të nivelit të përvetësimit të kompetencave nga nxënësit në përfundim të arsimit të mesëm të ulët dhe do të shërbejnë si bazë për planifikimin e masave për përmirësimin e cilësisë në arsim.

“Rezultatet do të shërbejnë për identifikimin e prioriteteve dhe planifikimin e masave në drejtim të rritjes së cilësisë në arsim,” thuhet më tej në komunikatë.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button