Çështja e presidentit, Haziri: Pa marrëveshje politike s’ka rezultat

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se gjatë këtij muaji do të vërtetohet nëse ka vullnet politik për çështjen e presidentit.
Tek kanë mbetur edhe tri javë deri në ditën e fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri, Haziri ka thënë se se pragmatizmi dhe kompromisi janë vlera politike dhe jo dobësi.
“Populli i Kosovës është europian me orientim, nuk meriton qeverisje tjetër pos asaj euroatlantike, ku LDK tash e 37 vjet beson, punon e ndërton! Prilli është muaji që do të determinojë nëse ka vullnet politik në Kosovë, nëse ka marrëveshje për bashkëpunim, pa të cilën nuk del rezultati, sepse pragmatizmi dhe kompromisi janë vlera politike e jo dobësi. Sa më shumë fiton mbështetje, bëhesh më i përgjegjshëm, sepse duhet ndarë me të tjerët. Në të kundërtën, Kosova, për mungesë pragmatizmi, duhet të zgjedhë përmes gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese ose zgjedhjeve 8-milionëshe. Ky popull i Kosovës është europian me orientim, nuk meriton qeverisje tjetër pos asaj euroatlantike, ku LDK tash e 37 vjet beson, punon e ndërton!”, ka shkruar Haziri përmes një postimi në Facebook.
Përpjekjet për zgjedhjen e presidentit ende nuk kanë prodhuar marrëveshje mes partive kryesore në vend. Lëvizje pati tek dje, kur kryeministri Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abidxhiku u takuan për të diskutuar lidhur me këtë çështje.
Kurti dhe Abdixhiku janë zotuar se do t’i vazhdojnë diskutimet për çështjen e presidentit, për të shmangur zgjedhje të reja.
Kurti ka ftuar për një takim të tillë edhe Kryetarin e PDK-së, Bedri Hamzën. Hamza i ka kërkuar që t’ia çojë ftesën në letër “në mënyrë që të rritet edhe serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje”.