Një i vdekur dhe një i lënduar në Strellc të Ulët të Deçanit, u ranë dërrasat në vendin e punës

Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është lënduar, pas një aksidenti në një punëtori në fshatin Strellc të Ulët të Deçanit.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Gashi sqaroi se ata kanë marrë lëndime nga rënia e disa dërrasave.
“Sot rreth orës 14:05, Policia është njoftuar se në një punëtori (me sharrë) në fshatin Strellc i Ulët, dy punëtorë kanë pësuar lëndime nga rënia e disa dërrasave, të njëjtit kishin pësuar lëndime trupore. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës – pas pak kohe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e njërit prej të lënduarve”, ka deklaruar Gashi.
Ai tha se në vendngjarje kanë dalë njësitet kompetente dhe po hetojnë rastin.