Gjykata Kushtetuese e la në burg, Meta reagon nga qelia

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar nga qelia pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi të mos ndryshojë masën e sigurisë ndaj tij, duke rrëzuar kërkesën për lirimin.
Në një postim në rrjetin social, Meta e cilësoi vendimin si të parashikueshëm dhe akuzoi gjykatën për zvarritje të qëllimshme të procesit, me synim pengimin e ndjekjes së çështjes në instancat ndërkombëtare.
“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo gjykatë nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 mars 2020 kur këta betoheshin te Lana. Por së paku të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre. Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji”, shkruan Meta./visionplus