Dosja e të arrestuarve për bixhoz të paligjshëm, Prokuroria kërkon paraburgim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për 19 persona të dyshuar për organizim të bixhozit të paligjshëm dhe lojërave të fatit online, në një rrjet të strukturuar që dyshohet se ka vepruar në disa komuna, ka bërë të ditur prokurori i shtetit Muharrem Prekazi në kërkesën për paraburgim të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.
Sipas kërkesës, nga një datë e pacaktuar e deri më 18.04.2026 në ora 20:30, në lokale të ndryshme, të pandehurit në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo persona të tjerë, kanë organizuar dhe mundësuar zhvillimin e aktivitetit të kundërligjshëm të bixhozit – lojërave të fatit online, të cilat luhen përmes internetit duke përdorur kompjuter, telefona apo tablet, dhe që janë të ndaluara sipas Ligjit Nr.06/L-155.
Në dokument theksohet se “dyshimi i bazuar duhet të mbështetet në prova të artikulueshme”, dhe sipas prokurorisë, me prova të tilla dhe fakte të drejtpërdrejta është vërtetuar ekzistenca e dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale për të cilat dyshohen.
Provat e përfshira në rast përfshijnë raporte vëzhgimi policor, përgjime të komunikimeve, incizime audio-video, deklarata dëshmitarësh dhe gjetje gjatë kontrolleve të 18 prillit, përfshirë platforma bastesh në pajisje elektronike dhe shuma të mëdha parash.
Sipas kërkesës, ekziston “rrezik real, konkret dhe i vazhdueshëm” që të pandehurit, nëse lihen në liri, do ta vazhdojnë apo përsërisin aktivitetin e kundërligjshëm, si dhe do të pengojnë procedurën penale duke ndikuar në prova materiale dhe personale.
Në mesin e tyre përmenden si organizatorë apo persona me rol kyç Arbër Berani, Nexhat Maloku, Arsim Islami, Besim Islami, Behxhet Syla, Fahredin Mujka dhe të tjerë, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se ka pasur role operative si hapje llogarish, pranim parash dhe menaxhim i aktivitetit.
Lokalet e përfshira në skemë dyshohet se janë “Offside Sport Bar”, “Te Feti”, “Coffe Bar Fisi”, “Elita Bar”, “N’Peron Pub”, “Caffe Time/Game One”, “New York City”, “Te Zogu” dhe “Market Berisha”.
Gjatë aksionit policor janë sekuestruar rreth 156.000–170.000 euro para të gatshme në një lokacion, si dhe pajisje elektronike, automjete dhe armë, ndërsa disa të dyshuar janë ende në arrati.