Hamza zbulon ofertën që Kurti ia bëri në WhatsApp: Na e ofroi postin e Kryetarit të Kuvendit

(Lajm i përditësuar)


PDK-ja e konsideron të përmbyllur kontributin e saj për zgjedhjen e presidentit

Partia Demokratike e Kosovës i konsideruar të përmbyllura diskutimet për Presidentin, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues.

Në kuadër të kësaj mbledhjeje, Këshilli Drejtues ka miratuar edhe një Deklaratë Politike, përmes së cilës shprehet qëndrimi zyrtar i PDK-së në raport me temat kryesore që preokupojnë vendin dhe qytetarët.

Sipas PDK’së, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri.

“Sa i përket çështjes së Presidentit, Këshilli Drejtues vlerëson se PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Megjithatë, përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron kontributin e saj në këtë proces të përmbyllur”, thuhet në njoftim.

Teksti i plotë i Deklaratës Politike të Këshillit Drejtues të PDK-së:

• Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, sot, më datë 20 prill, ka mbajtur mbledhjen e radhës, ku ka diskutuar për zhvillimet partiake dhe politike, procesin në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës. PDK, si subjekt politik shtetformues dhe shtetndërtues, riafirmon përkushtimin e saj në mbrojtje të rendit kushtetues, stabilitetit institucional dhe funksionimit demokratik të shtetit.

• PDK vlerëson se Kosova po përballet me kriza të njëpasnjëshme politike dhe institucionale, të shkaktuara drejtpërdrejt nga shumica parlamentare, e cila përmes bllokadave të vazhdueshme dhe mungesës së përgjegjësisë shtetërore po e paralizon funksionimin normal të institucioneve, po i politizon ato dhe po e dëmton interesin qytetar e shtetëror.

• PDK thekson se vendi nuk duhet të mbahet peng nga kalkulime politike dhe interesa të ngushta partiake. Vazhdimi i kësaj gjendjeje, i shkaktuar nga pushteti aktual, është i dëmshëm dhe i rrezikshëm për funksionimin demokratik dhe institucional në Kosovë.

• PDK ka dëshmuar gatishmëri të plotë për të kontribuar në zgjedhjen e Presidentit të ri dhe në zhbllokimin e situatës, duke mbështetur mundësinë e një kandidati konsensual, pa asnjë kushtëzim apo kërkesë për përfshirje në bashkëqeverisje. Për PDK-në, stabiliteti institucional ka qenë çështje parimore dhe e interesit shtetëror, e jo objekt i negocimit politik.

Përkundër kësaj qasjeje konstruktive, mungesa e vullnetit politik dhe seriozitetit institucional nga ana e pushtetit aktual po e pamundëson përsëri zgjedhjen e Presidentit të ri. Rrjedhimisht, PDK e konsideron të përmbyllur kontributin e saj në këtë proces.

• Në lidhje me procesin gjyqësor në Hagë, kur procesi tashmë është në fazën finale, PDK shpreh pritjen dhe kërkesën e saj që vendimi përfundimtar të jetë i drejtë, i paanshëm dhe i bazuar ekskluzivisht në fakte dhe prova të besueshme, larg çdo ndikimi politik apo perceptimi të njëanshëm. PDK riafirmon bindjen e saj të palëkundur në pafajësinë e liderëve të UÇK-së dhe në pastërtinë e luftës çlirimtare.

• Partia Demokratike e Kosovës rithekson orientimin e saj të qartë euroatlantik dhe kërkon forcim të menjëhershëm të partneritetit strategjik me aleatët tanë, si garanci për stabilitetin, sigurinë dhe të ardhmen e shtetit.

• Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se gjendja ekonomike është përkeqësuar ndjeshëm, ndërsa qytetarët po përballen me rritje të papërballueshme të kostos së jetesës. Për këtë arsye, kërkohen masa urgjente, konkrete dhe efektive për mbështetje ekonomike dhe lehtësim të barrës financiare për qytetarët.

• Po ashtu, Këshilli Drejtues rithekson se zgjedhjet e brendshme partiake duhet të mbahen gjatë vitit 2026, me qëllim forcimin e demokracisë së brendshme, përfshirjen e potencialit të ri politik dhe ndërtimin e një alternative të avancuar qeverisëse.

• Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë faktor stabiliteti, forcë konstruktive politike dhe alternativë serioze për qeverisjen e vendit.


Hamza zbulon ofertën që Kurti ia bëri në WhatsApp: Na e ofroi postin e Kryetarit të Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zbuluar ofertën që i ka bërë sot kryeminsistri Albin Kurti kësaj partie, për çështjen e Presidentit.

Hamza tha se Kurti ka bërë ofertë që deputetët e kësaj partie të qëndrojnë në sallë e të votojnë për Presidentin, dhe si rezultat i kësaj PDK-së t’i ofrohet posti i Kryeparlamentarit.

Edhe kjo, me kushtin që pastaj pozita e nënkryetarit që e ka PDK-ja, t’i kalojë VV’së.

“Sot kam pranu një komunikim nga z.Kurti në WhatsApp, ku PDK’Së ia bën një ofertë. Oferta është që deputetët e PDK të qendrojnë në sallë, të votojnë dhe si rezultat i kësaj PDK’së t’i ofrohet posti i Kryetarit të Kuvendit me një lloj ndryshimi që VV me i kalu pozita e nënkryetarit të PDK”së”, tha Hamza.

Ai e cilësoi këtë ofertë si joserioze dhe jo kushtetuese.

“Për PDK’në, ky proces është i përmbyllur”, tha Hamza.

Back to top button