Vëllai i Liridona Ademajt kërkon nga mediat në Shqipëri që t’i largojnë videot nga rasti i Liridonës

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, ka kërkuar nga mediat në Shqipëri që t’i largojnë nga platformat e tyre videot nga provat e rastit të diskutuara në gjykatë. dhe të mos i shfaqin në televizione.
Ai ka specifikuar se kjo kërkesë e familjes vjen edhe si pasojë e ndikimit te fëmijët nga rasti.
”Lutje për mediat në Shqipëri Të nderuar përfaqësues dhe drejtues të mediave në Shqipëri,
Ne, si familje, jemi informuar se kanë filluar të qarkullojnë video nga provat e rastit të diskutuara në gjykatë.
Në Kosovë kemi kërkuar nga mediat që prova të tilla të mos publikohen dhe kemi hasur në një bashkëpunim shumë të mirë. I lusim të gjitha mediat, gazetarët, komentuesit, blogerët dhe influencerët në Shqipëri që t’i largojnë nga platformat e tyre këto video dhe të mos i shfaqin në televizione. Këto prova kanë pasur vetëm një qëllim, të dëshmojnë dhe të vërtetojnë vrasjen e motrës sonë. Ky qëllim tashmë është arritur dhe qarkullimi i tyre e denigron figurën e motrës sonë, krijon kujtime të tmerrshme për fëmijët e saj, të cilët nënën e tyre duhet ta kujtojnë ashtu siç ishte në jetë, dhe i shërben vetëm kureshtjes së publikut, e jo interesit publik.
Prandaj, ju lutemi shumë që ta dëgjoni thirrjen tonë. Me respekt, Leonard Ademaj me familje”, ka shkruar Ademaj./21Media