Kuvendi i Kosovës zgjedh anëtarët e Bordit të RTK-së

Valmirë Thaçi, Flokart Aliu, Gëzim Brahaj, Xheraldina Cërnobregu, Fatmir Podrimaj dhe Ilirjan Himaj janë anëtarët e Bordit të ri të Radiotelevizionit të Kosovës, të zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës.

Gjatë procesit të votimit ishin të pranishëm 105 deputetë, teksa 3 fletëvotime ishin të pavlefshme.

Deputetja Albana Bytyqi lexoi rezultatet si më poshtë:

Valmirë Thaçi  – 69 vota

Flokart Aliu – 58 vota

Gëzim Brahaj – 56 vota

Faton Mustafa – 16 vota

Xheraldina Cërnobregu – 60 vota

Anita Toçi – 33 vota

Lulzim Beqiri – 31 vota

Fatmir Podrimaj – 53 vota

Ilirjan Himaj – 56 vota

Avni Zuka – 3 vota

Adriana Sejda – 36 vota

Arta Jashari – 13 vota

Ndërkaq për anëtarët nga komunitetët serb dhe komunitetet jo shumicë, nuk ka kandidatë që kanë arritur të marrin votat e mjaftueshme. Si pasojë do të rishpallet konkurs për ta.

“Kujtojmë se mandati i anëtarëve të Bordit të RTK-së bëhet me short sipas nenit 26, paragrafët 3 dhe 5, ligjit Nr. 04 L – 046 për RTK”, tha nënkryetari Ardian Gola.

Në Kuvend po zhvillohet votimi për anëtarë të Bordit të RTK-së

Në Kuvendin e Kosovës ka nisur procesi i votimit të fshehtë për tetë anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, gjashtë shqiptarë, një nga radhët e komunitetit serb dhe një nga komunitetet e tjera jo shumicë.

Kryetarja e Komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarët e Bordit të RTK-së, Arbërie Nagavci tha se për gjashtë pozita për anëtarë të Bordit të RTK-së, nga komuniteti shqiptar, në garë janë 12 kandidatë.

Ajo tha se pas zhvillimit të intervistave fillimisht kanë qenë të propozuara edhe dy anëtare të tjera për Bordin e RTK-së, por ndërkohë kishin pranuar informacione se dy kandidatet që ishin të përzgjedhura nga radhët e komunitetit shqiptar, Arbërore Riza dhe Njomza Beqiri-Novosella, binin ndesh me ligjin për RTK-në dhe të njëjtat nuk kanë mundur të procedohen për emërim nga Kuvendi i Kosovës.

Ato, tha Nagavci, janë zëvendësuar me kandidatët të cilët janë në radhë sipas poenëve të vlerësuar nga komisioni.

Nagavci tregoi se Kuvendi ka pranuar aplikacionet e 75 kandidatëve, prej tyre 67 kandidatë shqiptarë, tre nga radhët e komunitetit serb dhe pesë nga radhët e komuniteteve të tjera jo shumicë.

“Pas shqyrtimit të aplikacioneve janë intervistuar 62 kandidatë, për arsye se disa nga kandidatët kanë qenë në kundërshtim me nenin 27 të Ligjit për RTK-në, dy kandidatë janë tërhequr nga kandidatura, disa kandidatë nuk i kanë plotësuar kushtet e konkursit, dhe gjashtë kandidatë nuk kanë marrë pjesë në intervistim”, shpjegoi Nagavci.

Për procesin kanë drejtuar kritika partitë opozitare.

Ganimete Musliu nga Partia Demokratike e Kosovës tha se ky proces, sikurse të gjitha proceset tjera, sipas saj, që po ndodhin brenda këtyre dy javëve, janë të lënduara dhe janë keq të menaxhuara.

“Unë kam ngritur shqetësimet e mia edhe gjatë procesit, që nga dita kur është bërë themelimi i komisioneve ad-hoc e deri sot kur kemi për t’i votuar personat kinse të përzgjedhur”, tha ajo.

Musliu deklaroi se 75 kandidatë të intervistohen për dy ditë ka qenë pak kohë, duke shtuar se kanë punuar deri në orën 24:00 të natës. “Dhe ju e dini çfarë efikasiteti mund të ketë kur punohet deri në atë kohë. Kur them kemi punuar deri në 24:00 të natës është fjala që kemi punuar nga ora 09:00 deri në 24:00, pa asnjë shkëputje, përveç që kemi pasur një orë pauzë dreke”.

Ajo në emër të PDK-së tha se ata do të marrin pjesë në procesin e votimit, njëjtë siç u deklaruan edhe nga LDK-ja.

“Për të mos u përsëritur ajo çka ka ndodhur në të kaluarën dhe për të pasur një televizion publik që e ka në misionin e tij themeltar informimin e drejtë publik, të paanshëm, të pandikuar nga politika, është shumë esenciale dhe shumë përmbajtësore që të kemi edhe anëtarë të bordit që janë të pavarur dhe të cilët i kryejnë detyrat sipas ligjit dhe nuk lejojnë ndërhyrje qoftë në pjesën menaxheriale, por edhe editoriale apo edhe politike të këtij mediumi publik”, tha Zemaj.

Ai tha se krejt çka kanë kërkuar në këtë proces ka qenë transparencë dhe kohë në shqyrtimin e aplikacioneve.

Time Kadrijaj e AAK-së tha se po bëhet një proces ‘shkel e shko’.

“Unë mendoj që procesi i intervistimit është dashur të zhvillohet në atë formë që të kalojnë ata që janë më të mirët dhe jo disa njerëz të vijnë të relaksuar nëpër intervista për shkak se i përkasin partisë në pushtet dhe e kanë ditur me patjetër se do të zgjidhen”, deklaroi ajo.

Arbërie Nagavci, që mori sërish fjalën, ka falënderuar deputetët që si anëtarë komisioni, tha se kanë bërë punë me përkushtim dhe me intensitet të shtuar.

Ajo tha se sa i përket gjithë procesit, ka qenë legjitim dhe transparent dhe nuk ka asnjë shkelje, e angazhimi i tyre ka qenë për shkak të domosdoshmërisë së funksionalizimit të Bordit të RTK-së.

“Sot që po flasim, ky institucion ka dy vite e më shumë që është pa bord funksional dhe përveç kësaj, ka edhe shumë pozita që janë me ushtrues detyre dhe detyra jonë si deputetë është që të bëjmë maksimumin dhe të funksionalizojmë bordin. Unë konfirmoj edhe njëherë që procesi ka qenë i hapur, plotësisht legjitim. Uroj që RTK të ketë bord profesional dhe funksional”, tha ajo.

Ndërkohë, paraprakisht, Kuvendi i Kosovës ka zgjedhur anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës në seancën plenare që po vazhdon ende.

Me 95 vota është zgjedhur Bashkim Hyseni, ndërsa Ivana Milenković ka marrë 87 vota.

Për anëtarin e tretë do të shpallet sërish konkurs./rtk

Back to top button