Arrestohet 24-vjeçari i kërkuar për dhunim në Ferizaj
Një person i kërkuar për veprën penale “Dhunim” është arrestuar të premten në Ferizaj nga Njësia e Reagimit të Shpejtë (NJRSH).
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, arrestimi është kryer rreth orës 15:00 në rrugën “Astrit Bytyqi”, ku është ndaluar personi me inicialet A.H., 24 vjeç, ndaj të cilit kishte urdhëresë aktive nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
“Personi ishte në kërkim me urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, për veprën penale ‘Dhunim’”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, i arrestuari është dërguar menjëherë në vuajtje të dënimit me kohëzgjatje prej dy vite e gjashtë muajsh.
Policia rajonale ka theksuar se mbetet e angazhuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe në kapjen e personave që i shmangen drejtësisë.
“Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në zbatimin e urdhëresave gjyqësore dhe në arrestimin e personave që tentojnë t’i shmangen drejtësisë, me qëllim rritjen e sigurisë për qytetarët”, thuhet më tej në njoftim.