Lluka: Të përkushtuar për të eliminuar barrierat fiskale të TIK-ut

Lluka tha se Kosova deri më tani ka tejkaluar të gjitha vendet në rajon dhe shumë tjera në BE për penetrimin e internetit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka sot  mori pjesë në Forumin Ekonomik të Vjenës, i cili po mbahet për herën e 14, ku udhëheqës shtetërorë nga rajoni dhe më gjerë dhe figura të rëndësishme nga fusha e politikes dhe biznesit debatojnë për çështje të rëndësisë globale. Sesioni i sivjetshëm u fokusua në bashkëpunimin rajonal si pjesë e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e teknologjisë informative.

Siç njoftohet në komunikatën e ministrisë, Lluka theksoi se Qeveria e Kosovës ka vendosur agjendën e ekonomisë digjitale në listën e prioriteteve kryesore sepse beson se digjitalizimi siguron një rritje të qëndrueshme ekonomike dhe se vetëm ekonomitë që bazohen në dije janë ekonomi që kanë performancë të suksesshme dhe sigurojnë krijimin e vendeve të reja të punës për të rinjtë.

Ministri tha se çdo ditë  janë të përkushtuar për të eliminuar të gjitha barrierat fiskale që kanë të bëjnë me sektorin e TIK-ut; krijimin e infrastrukturës së duhur për zhvillimin e TIK-ut; fuqizimin e grave dhe rinisë në TIK; angazhimin e të gjithë donatorët potencialë; përmirësuar infrastrukturën për të siguruar mbulueshmëri me internet në tëre vendin; krijimin e qendrave inovative dhe parqeve të teknologjisë dhe dixhitalizuar ekonominë e Kosovës.

Lluka vuri në dukje se Kosova deri më tani ka tejkaluar të gjitha vendet në rajon dhe shumë tjera në BE kur është fjala për penetrimin e internetit, ngase vendi ka një penetrim prej 70% të internetit 4G përmes telefonave celularë.

Ministri Lluka tha se do të donte që përmes këtij forumi të përcjell një mesazh të qartë te tri palët kyçe;

1. Qeveritë Rajonale – për një bashkëpunim më të mirë mes institucioneve dhe organizatat joqeveritare! Le të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë. Mos kini frikë të udhëhiqni ndryshimin dhe ofroni asistencë kur kërkohet.

2. Donatorët, sidomos Komisioni Evropian – Të ketë besim te rajoni! Shpresat dhe vizionet tona janë të bëhemi pjesë e familjes së madhe Evropiane.

3. Shoqatat e TIK-ut dhe sektori privat – të hapen për partneritete mes veti në rajon! Partneritetet janë një mënyrë e sigurt për të pasur sukses.

Ndryshe, gjatë Forumit Ekonomik të Vjenës, siç njoftohet,  ministri Lluka ka zhvilluar takime të ndara me përfaqësues të bizneseve dhe ambasadorë të rajonit të akredituar në Austri, të cilët i ka njoftuar me zhvillimet ekonomike në vend, e posaçërisht masat që ka ndërmarrë Qeveria për të përmirësuar klimën për investimet e jashtme.

Sesioni i sivjetshëm u fokusua në bashkëpunimin rajonal si pjesë e integrimeve evropiane dhe zhvillimin e teknologjisë informative./21Media

Back to top button